Marquez përgatit festën e titullit në Spanjë
Pëlqej
Marc Marquez është vërtet shumë pranë titullit të katërt në karrierë në Klasin Mbretëror, sidoqoftë 24-vjeçari spanjoll duhet të presë edhe 11 ditë për të nisur festën dhe zyrtarizuar gjithçka. Me shumë gjasa piloti katalanas ishte përgatitur për t’i mbyllur llogaritë që të dielën e kaluar, por në Sepang planet e tij u hodhën në erë nga Andrea Dovizioso, që fitoi për të dytin vit radhazi në Çmimin e Madh të Malajzisë.

Për hir të së vërtetës suksesi i Dovit edhe pritej, duke patur parasysh superioritetin e Dukatit në vijën e drejtë, apo dhe faktin që Marquez nisej nga vendi i shtatë, gjithsesi tërheq vëmendjen diferenca e madhe prej plot 18″ me të cilën numri 93 e përfundoi garën. Teorikisht pilotit iberik i mjaftonte vendi i dytë për të festuar titullin, megjithatë atë pozicion e kishte prenotuar me sa duket Jorge Lorenzo, që zbatoi në perfeksion planin e skuadrës italiane, duke i mbrojtur krahët Dovizioso-s, por pa e ngacmuar shokun e tij të ekipit. Marquez e filloi garën e fundit me epërsinë e 33 pikëve, kështuqë 18″ diferencë shpjegohen ndoshta me udhëzimet apo qoftë edhe këshillat e drejtuesve të skuadrës HRC për të mos rrezikuar asgjë, ndërkaq “piloti plangprishës” parë nga këndvështrimi i Hondës Zyrtare mund të konsiderohet pa frikë piloti francez i Yamaha Tech 3 Johann Zarco që në Malajzi u klasifikua në shkallën më të ulët të podiumit, sidoqoftë me një llogari të thjeshtë me letër dhe laps pilotit spanjoll aktualisht i mjafton thjesht vendi i 11 në garën përmbyllëse për të koleksionuar titullin e gjashtë në karrierë, duke patur parasysh edhe trofetë e fituar në Moto 2 dhe Klasin 125. Marquez numëron 282 pikë, ndërsa Dovizioso ka 21 pikë më pak, kështuqë pilotit nga Cervera nuk i mjafton vendi i 12, pozicion që në Klasin Mbretëror shpërblehet me 4 pikë, sepse në rast barazimi me pikë 31-vjecari emilian do të fitonte titullin në mënyrë të cmendur falë numrit të fitoreve, 7 kundrejt 6 të Marc Marquez.

Gara e fundit sic dihet zhvillohet prej vitesh në Spanjë dhe është pikërisht gara e Çmimit të Madh të Komunitetit Valencian. Cirkuiti quhet Ricardo Tormo dhe pista është 4.005 metra e gjatë, ndërkaq itinerari përbëhet nga 14 kthesa, ndërsa vija e drejtë është vetëm 876 metra e gjatë. Me këto parametra kuptohet shanset e Dovit për të përmbysur situatën në një pistë si kjo janë praktikisht zero, për më tepër për të gjetur fitoren e fundit të një piloti italian në Cmimin e Madh të Komunitetit Valencian duhet të kthehemi në vitin e largët 2005, kur Marco Melandri me Hondën e tij mundi dyshen Hayden – Rossi. Pilotët spanjollë kanë fituar garën përmbyllëse të shtëpisë në 7 nga 8 vitet e fundit, ku spikat 3 herë kampioni i botës Jorge Lorenzo me katër fitore, sidoqoftë këto fitore janë siguruar që të gjitha me Yamaha. Që të fitojë titullin piloti i Dukatit duhet të shpresojë vetëm në një rrëzim, ose problem teknik të pilotit nga Katalonja, por sidoqoftë në të gjitha rastet Dovizioso është i dënuar për të fituar patjetër garën, pasi vendi i dytë do t’i shtonte vetëm 20 pikë.

Sido që të shkojë për pilotin italian edicioni i 69 i Klasit Mbretëror duhet konsideruar si sukses i jashtëzakonshëm, pasi përpara vitit 2017 Dovi kishte fituar thjesht dy gara të vetme, fillimisht në vitin 2009 në Donnington Park një garë të zhvilluar nën rreshjet e vazhdueshme të shiut, me skuadrën Hond Repsol, ndërsa vjet në tetor numri 4 triumfoi me Ducati në Sepang, raporton SuperSport. Sezoni më i mirë për Andrea Dovizioso-n deri tani konsiderohej sezoni i vitit 2011, kur piloti emilian e mbylli sezonin në vendin e tretë, me shtatë podiume, duke grumbulluar 228 pikë gjithsej, ndërkaq është e kuptueshme që drejtuesit e skuadrës HRC do të motivojnë Dani Pedrosa-n, që në Valencia ka triumfuar tre herë, për të fituar garën, ndërsa Marc Marquez në krahun tjetër pritet thjesht të administrojë garën, për të vënë duart te titulli i 4 në 5 vitet e fundit, duke thyer kështu një tjetër rekord të Valentino Rossi-t, që nuk mund të bëjë gjë tjetër përvecse të shikojë i pafuqishëm sukseset e njëpasnjëshme të 24-vjecarit të famshëm spanjoll.
Shtuar më 01/11/2017, ora 11:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori