Spanjollët dominojnë garën e Aragon
Pëlqej
Marc Marquez me Honda fitoi sot garën e Aragon (Spanjë) në Moto GP, duke marrë edhe kreun e renditjes, në përfundim të një gare ku piloti spanjoll rikuperoi 5 pozicione. Një triumf i merituar i spanjollit, që la pas rivalët e tij për titull, në një garë të hapur deri në fund. Në podium u ngjitën edhe dy pilotë të tjerë spanjollë, Dani Pedrosa me Honda i dyti si dhe Jorge Lorenzo me Ducati i treti. Pra, pilotët vendës e dominuan këtë garë, teksa edhe në vendin e katërt u klasifikua një tjetër spanjoll, Maverick Vinales me Yamaha, që la pas shokun e skuadrës Valentino Rossi, i pesti.

Gara nis mirë për Lorenzo, që merr menjëherë kreun e renditjes pas startit të saj, ndërkohë që nuk është aq i shpejtë sa në prova Vinales, që humbet terren dhe lëson kreun. Në vështirësi duket edhe Dovizioso, që asnjëherë nuk arrin të duelojë me pilotët e kreut dhe humbet kontaktin me kryesuesit. Reziston Rossi, që 24 ditë pas operacionit në këmbë duelon sa mundet me pilotët e kreut, duke bërë një garë të mirë. Rikuperon terren me kalimin e xhirove edhe spanjolli tjetër i Honda, Dani Pedrosa, që në fund do të nisë edhe një duel me shokun e skuadrës Marc Marquez për kreun.

Pilotët ndryshojnë disa herë pozicionet në xhirot e fundit, por Marquez, pasi merr kreun e garës, nuk e lëshon më atë, ndërkohë që shkëptuet ndaj dyshes Pedrosa-Lorenzo, që thjesht duelojnë për podiumin. Kjo treshe garon e shkëputur nga të tjerët, me Vinales që parakalon Rossin dhe renditet i katërti, para italianit, raporton TeleSport. Ai që zhgënjeu në këtë garë është Andrea Dovizioso me motorin tjetër Ducati, që e mbylli garën në vendin e 7-të dhe lëshon kreun. Triumfi në këtë garë ishte thelbësor për Marquez, që tani ka 16 pikë epërsi karshi Dovizioso në renditjen e përgjithshme dhe 28 pikë kundrejt Vinales, i treti. Gara e radhës, më 15 tetor, në pistën japoneze të Motegi.
Shtuar më 25/09/2017, ora 10:43

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori