Ja VIP-at që besojnë se Kombëtarja do të kalojë në fazën tjetër
"Euro2016" do të mbahet mend gjatë nga gjithë shqiptarët, sepse për herë të parë Shqipëria merr pjesë në një garë të tillë sporti.

Deri më tani, Kombëtarja shqiptare ka realizuar dy ndeshje, e para ishte me Zvicrën e cila përfundoi me fitore të Kombëtares zvicerane, kurse loja e dytë ishte me Francën, e cila fatkeqësisht përfundoi me rezultat 2 me 0 në minutat e fundit për Francën.

Shqipëria nesër do të përballet me Rumaninë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve. Kjo është ndeshje vendimtare për Shqipërinë dhe vetëm fitorja do të linte Kombëtaren shqiptare në garë për të kaluar fazën e grupeve. E për këtë ndeshje, optimistë janë disa nga këngëtarët shqiptarë.

Blero
“Nëse Shqipëria e luan lojën që ka luajtur kundër Francës, do të fitojë kundrejt Rumanisë, edhe pse varet nga vendet e treta nga grupet e tjera, pasi janë katër ekipe në vendet e treta në grupet e tjera që munden me shku, sepse këtë vit ka ndërruar formati i Europianit. Por besoj që 50 me 50 për qind, Shqipëria shkon, nëse fiton me Rumaninë, nëse ekipet e vendeve të treta nuk fitojnë ose luajnë më dobët. Sa i përket rezultatit, besoj që Shqipëria fiton me rezultatin 2 me 0”, ka thënë Blero.

Dafina Dauti
“Jam e dëshpëruar nga dy lojët e para pasi, ndonëse lojtarët kanë dhënë maksimumin e tyre në fushë, rezultati nuk ishte në favorin tonë. Mendoj që Shqipëria fiton të paktën edhe me një rezultat minimal”, janë fjalët e Dafinës.

Genc Prelvukaj
“Shqipërinë e shohim gjithmonë me emocion të madh, andaj vështirë se mund të jemi realistë në parashikim. Unë jam optimist për ndeshjen e fundit, edhe pse nga ana tjetër mendoj se është jashtëzakonisht e vështirë. Nëse fitojmë, atëherë do të duhej të ishte me rezultat minimal. Por, pavarësisht se a do të kalojë apo jo fazën grupore, Shqipëria ka marrë fitoren e saj me vete, pjesëmarrjen”, ka theksuar Genci.

Aurela Gaçe
“Shqipëria ka fituar me prezencën e saj në këtë Europian, pasi ka treguar se di të luajë mirë, se ka një tifozeri të edukuar dhe kemi treguar fytyrën tonë të vërtetë, që ndoshta shumë shtete nuk e kanë njohur. Pres fitore, sikurse gjithë shqiptarët, dua shumë të shpërblehet djersa, gjithë ajo dashuri që kanë dhënë në fushë. Për rezultat nuk mund të jap ndonjë shifër, pasi në fushë mund të ndodhë gjithçka dhe nuk e di nëse fati do të jetë në anën tonë”, ka shtuar Aurela.
Shtuar më 19/06/2016, ora 13:59
Bozo
e Dielë 19 Qershor 2016, Ora 16:25
Po leje ore cfar din kto per futboll ..!!!!! Sa kupton gjyshja ime aq keto ...mos na lodhni me k'si lloje informatash
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori