Skandal në Kamëz, tifozët hyjnë në fushë dhe godasin arbitrin (VIDEO)
Mbyllet në mënyrën më të shëmtuar të mundshme sfida Kamza-Laçi.

Një penallti e akorduar nga gjyqtari Eldorjan Hamiti për një faull të portierit Ilir Avdyli dhe e kthyer në gol në minutën e 6-të shtesë nga Bojan Najdenov jo vetëm që i hoqi fitoren nga duart Kamzës, që do të ishte e para për Gentjan Stojkun në stolin e skuadrës nga periferia e kryeqytetit por edhe e para për Kamzën në kampionat për vitin 2019-të, bëri që gjithçka të degradonte në dhunë.

Disa tifozë të acaruar për penalltinë e dhënë nga gjyqtari zbritën në fushë duke sulmuar dhe më pas goditur arbitrin Hamiti, ndërkohë që stjuardët e paktë që ishin në stadium e kishin të vështirë të mbanin situatën nën kontroll ndërsa forcat e policisë erdhën në stadium me shumë vonesë, shkruan SS. Tashmë Kamza pritet të marrë një dënim shembullor nga komisioni i disiplinës në FSHF, ndërkohë që qëndrimi në Superiore për Kamzën vështirësohet akoma edhe më shumë.

Ishte shumë pranë fitores skuadra e Stojkut që luajti më mirë se Laçi në këtë sfidë, gjeti avantazhin me kapitenin Sebino Plaku pas një goli shumë të bukur në minutën e 56-të, madje Kamza iu afrua edhe golit të dytë në disa raste dhe në fund u ndëshkua nga një dalje e pastudiuar e portierit Avdyli me Najdenov që kthehu në gol 11-metërshin.

Më pas gjithçka ishte një turp i madh, për klubin organizator, për policinë e shtetit dhe për futbollin shqiptar sepse të ndodhin këto skena në vitin 2019-të është diçka e patolerueshme.
Shtuar më 03/03/2019, ora 16:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori