"Elbasan Arena", Rama inspektim në 3 të mëngjesit
Pëlqej
Surprizë sa e bukur, aq edhe e sikletshme. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, para disa ditësh ka bërë një vizitë të befasishme dhe krejt sekrete në qytetin e Elbasanit, në orët e para të mëngjesit. Burime të "Panorama Sport" pranë punonjësve që po merren me ndërtimin e stadiumit, por edhe të atyre që merren me punimet e rrugëve që të çojnë në "Elbasan Arena", konfirmojnë vizitën e Kryeministrit Rama.

Mësohet se kreu i qeverisë shqiptare ka inspektuar punimet që po mbahen më së shumti në impiantin modern që po ndërtohet, si edhe ka parë vetë nëse punëtorët janë në punë ose jo.

Vizita - Duke qenë se ka qenë vetë Rama ai që i vuri vulën ndërtimit të stadiumitElbasan, ku edhe pa më nga afër gjendjen e tij pak ditë përpara se të fillonin punimet në muajin shkurt, atëherë mësohet se mbarimi në kohë i impiantit është një "fiksim" i Kryeministrit, i cili do me patjetër që ndeshjen e parë në shtëpi kombëtarja ta luajë në stadiumin e ri. Punëtorët kanë mbetur të shtangur fillimisht, pasi nuk ndodh përditë që një Kryeministër të zgjohet në mes të natës (mendohet ora tre e mëngjesit kur është kryer vizita) dhe të interesohet deri në këtë pikë nëse po punohet apo jo.

Mësohet se Kryeministri nuk ka qenë i shoqëruar me eskortën e zakonshme, pasi nuk ka dashur që ky inspektim të merrej vesh, por të ishte gjithçka në kuadrin e një vizite të paparalajmëruar. Vizita e Ramës është një sinjal i fortë për ata që kanë marrë përsipër ndërtimin në kohë të impiantit, i cili në fund të shtatorit duhet të përfundojë patjetër.


Punimet – Për sa u përket punimeve që po bëhen në stadium, ato po shkojnë drejt fundit, ku përveç ndërtimit brenda impiantit, një punë e madhe po bëhet edhe për infrastrukturën. Kështu, përveç rrugëve që po restaurohen, ka filluar vendosja e skelave pranë pallateve në të cilën kalon rruga që të dërgon në "Elbasan Arena", pasi ato do të suvatohen fillimisht dhe më pas do të lyhen.

Ndërtimi i stadiumit të ri pritet të ndryshojë pamjen e krejt qytetit të Elbasanit, ku tani pritet që të ketë një infrastrukturë më moderne, sidomos ajo pjesë që lidhet me stadiumin. /albeu.com/


Shtuar më 14/08/2014, ora 14:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori