Ergys Kaçe, PDIU: Dënojmë fushatën denigruese në Greqi
PDIU dënon atë që e cilëson si fushatë denigrimi ndaj futbollistit shqiptar Ergys Kaçe në Greqi, pas publikimit të një fotografie në rrjetin social Facebook, ku ai shfaqet i veshur me një bluzë të UÇK-së.

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, PDIU nënvizon se "Ergys Kaçe është shembulli për t’u ndjekur nga të rinj bashkëkombasit tanë në Greqi, nga sportistë të talentuar dhe për këtë ai meriton gjithë nderimin dhe mirënjohjen tonë. Europa është e madhe dhe ka vend për talentin e tij, nëse Greqia do ta largonte duke dëgjuar zërat e sirenave që duan ta mbajnë prapa, që duan ta mbajnë gjithmonë në Lindje".

"Kjo fushatë presioni, denigrimi është dëshmi e prapambetjes së madhe të shoqërisë së vendit fqinj, shoqëri e cila ka mbetur peng e aleancave të vjetra . Sipas mentalitetit dominues mbështetës të këtyre aleancave, dikush që vishet me simbolet e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, aleatit kryesor të NATO-s, në luftën kundër Serbisë së Milosheviçit, cënoka ndjeshmërinë e popullit grek, ndërkohë që Greqia është vetë anëtare e NATO-s. UCK-ja nuk ka sulmuar dhe nuk ka kryer ndonjë akt dhune ndaj Greqisë, që të mund ta kuptonim këtë egërsi ndaj lojtarit të madh Ergys Kaçe", thuhet në deklaratën e PDIU-së.

"Ne s’do të shqetësoheshim nga kjo shfaqje paradoksale e paradoksit që vetë shkrimtarë grekë e kanë quajtur Greqinë, “gruaja e perëndimit dhe dashnorja e Lindjes". Problemi më i madh është se ky rast mund të shfrytëzohet për të krijuar fushata dhune kundër emigrantëve tanë që jetojnë dhe punojnë ndershmërisht në vendin fqinjë, nëpërmjet skuadroneve fashiste të Agimit të Artë. Ergys Kaçe, mbase nuk ka qenë i vetëdijshëm për pasojat e veshjes së një bluze me simbolet e UÇK-së, por ama ai vetë është shndërruar në simbol të thirrjes së gjakut të të parëve, për respektin ndaj ndjenjës kombëtare", vijon deklarata.

Futbollisti shqiptar Ergys Kaçe do të mbetet jashtë aktiviteteve të skuadrës së futbollit PAOK, të paktën deri të hënën. Në klimën e rëndë që ekziston për Kaçen, nga postimi në Facebook i fotos me bluzën e UÇK-së dhe nga reagimet që pasuan, drejtuesit e klubit të PAOK-ut në Selanik vendosën ta largojnë mesfushorin e ri nga aktivitetet e përgjithshme të grupit.

Ergys Kaçe ka një kontratë me PAOK deri në verën e 2017, pas rinovimit të saj në fund të vitit 2012. /albeu.com/
Shtuar më 15/09/2013, ora 11:43
migjen
e Dielë 15 Shtator 2013, Ora 15:38
Ju te nderuar Gazetar te Albeut perse nuk ndermerni nje fushate ku te gjithe futbollistet Shqipetare kudo qe jetojne e luajne te dalin ne mbeshtetje te ERGYS KACES TE TERRE ME BLUZEN E UCK DUKE FILLUAR ME JONUZAJN NE ANGLI E ME RADHE JU LUTEM BEHENI KETE REALITET KETE FUSHAT NE GAZETEN TUAJ .
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori