Falimentoi klubin italian, kush është biznesmeni i ri i Dinamos
Për momentin, kompania italiane që do të investojë për Dinamon, ka thjesht rolin e sponsorit. Ende nuk ka një kontratë të firmosur mes palëve dhe projekti në letër është ambicioz, por koha do të tregojë se sa serioze është kjo shoqëri.

Përvojat e mëparshme me investitorët e huaj nuk kanë qenë pozitive, mjafton të kujtojmë rastet e Elbasanit me anglezët dhe Vllaznisë me zviceranët. Por kush është drejtuesi i ri i Dinamos? Marko Pontreli është një personazh i njohur në Itali, në biznes dhe në futboll, por në kategoritë e ulëta.

Ai drejton një kompani biznesi me rezidencë në Romë dhe ka qenë president i Triestinës, skuadër që e çoi në falimentim për shkak të borxheve të akumuluara dhe më pas pati një betejë ligjore të gjatë me drejtësinë sportive në vendin fqinj. Pas shpalljes së falimentimit në vitin 2016, ai e ka ndjekur çështjen në apel dhe më pas edhe në Gjykatën e Kasacionit, duke qenë kundër falimentimit me argumentin se do t’i shlyente borxhet, por asnjëra prej këtyre gjykatave nuk e ndryshoi vendimin fillestar.

Në vitin 2017, emri i Pontrelit ka dalë në skenë si kandidat për blerjen e Lenjanos, por marrëveshja nuk u arrit, pikërisht për shkak të vendimit që sponsori i ri i Dinamos priste nga gjykatat italiane. Tani ai ka kaluar Adriatikun dhe ka vendosur të investojë për Dinamon, por vetëm koha do ta tregojë se çfarë do të bëjë konkretisht. Përtej paragjykimeve, aktualisht ka pak skepticizëm në këtë projekt.
Shtuar më 15/10/2019, ora 11:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori