Flamurtari dhe Vllaznia ndalen në paqe
Pëlqej
Ekipi i Ernest Gjokës nuk mundi dot të ngrejë flamurin përpara publikut të tij.

Vlora kishte qenë pika e fortë e Flamurtarit, që kishte fituar dy sfidat e para në shtëpi me Teutën dhe Apoloninë, por ndaj Vllaznisë, ekipi i Ernest Gjokës nuk mundi dot të ngrejë flamurin përpara publikut të tij, që këtë herë kishte mbushur tribunat për të mbështetur kuqezinjtë. Selimaj por dhe pasaktësia përpara portës frenuan në barazimin e parë në kampionat Flamurtarin, ndaj një Vllaznie që në aspektin mbrojtës e interpretoi mjaft mirë takimin, duke mos lejuar vendasit të dilnin në lojën e tyre për të regjistruar të tretin rezultat pozitiv radhazi.

Takimi nisi me një mesazh sensibilizues nga ana e klubit Flamurtari, që shpalosi parrullën “Po Futbollit, jo dhunës” duke dënuar dhe ngjarjet e ditëve të fundit në Superiore. Ernest Gjoka hidhte nga minuta e parë në këtë kampionat, gjeorgjianin Gelashvili, ndërsa Veliu kishte konvertuar me pagesë pezullimin për këtë ndeshje duke qenë i pranishëm në qendër të mbrojtjes. Vllaznia u shfaq një skuadër e organizuar mirë dhe madje nuk u rezervua vetë, në mbrojtje, por kërkoi dhe portën me Xhelilajn që u vu në vështirësi duke pritur në dy kohë. Rastin më të mirë e pati megjithatë Flamurtari. Në të 11-tën, Muzaka goditi brenda në zonë, Selimaj reagoi por Gilberto me portën e hapur përpara tij e dërgoi mbi traversë.

Në të 24-trën braziliani dhuroi spektakël me një kontroll fantastik të topit e goditje gërshërë, por Selimaj sërish reagoi shumë mirë duke larguar në goditje këndi. Pas disa minutave të rrezikshme të vlonjatëve, Vllaznia mundi të ulë ritmin duke kontrolluar Flamurtarin, aq sa rastet e pastra munguan e në pushim u vajt me shifra të paprekura.

Fillimi i së dytës ishte i mirë për Flamurtarin, që kërkoi të gjente rrjetën me “silurin” e Telushit, por Selimaj fluturoi për të thënë jo. Selimaj ishte protagonist dhe në të 72-tën, kur priti mrekullisht një goditje fluturimthi brenda në zonë të Lenës. Pak sekonda më pas, shansin e pati Gilberto, që në mënyrë të pabesueshme gaboi, dhe këtë herë jo për meritë të Selimajt, por për faj të këmbëve të tij.

Vlonjatët vazhduan të koleksionin raste të humbura, me Arbrin që në të 77-tën u lirua mirë falë pasimit të Telushit, por goditja nuk ishte ajo e duhura. Në të 84-rën, Flamurtari fitoi dhe superioritetin numerik, pasi Dema mori kartonin e dytë të verdhë duke lënë me 10 vetë të tijtë. Në minutat e mbetura presingu i Flamurtarit nuk prodhoi dot golin, me dy skuadrat që ndanë nga një pikë mes tyre, e cila në fakt i shërben më shumë Vllaznisë sesa Flamurtarit, që me siguri i rri ngushtë ky rezultat.
Shtuar më 14/09/2014, ora 19:30
Ndeshja e fundit
08/03/2014, ora 15:00
Ndeshja e rradhës
Nuk ka ndeshje!
Vizito faqen e KS Vllaznia Shkodër në Albeu
Ndeshja e fundit
08/03/2014, ora 15:00
Ndeshja e rradhës
Nuk ka ndeshje!
Vizito faqen e KS Flamurtari Vlorë në Albeu
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori