Flamurtari-Teuta, kompanitë e basteve mbajnë "peng" hetimin
Prokuroria e Vlorës është duke punuar intensivisht për atë që ndodhi në ndeshjen Flamurtari-Teuta. Vetëm një ditë më parë, në një prononcim për "Panorama Sport", kryeprokurori i qytetit bregdetar, Ramadan Troci, tregoi se kanë nisur zyrtarisht hetimet, ndërsa u është kërkuar gjashtë kompanive më të mëdha të basteve në vendin tonë një raport i detajuar për kuotimet dhe shumat e luajtura para dhe gjatë ndeshjes.

Burime të gazetës pranë organit të akuzës në Vlorë thanë se është duke u pritur përgjigjja nga kompanitë e basteve.

"Pasi të ketë një informacion të hollësishëm nga kompanitë e basteve, do të thirren për të dëshmuar drejtues të klubit dhe futbollistë nga të dyja skuadrat, ku do të merret edhe deponimi i tyre", tregojnë burime të sigurta në Prokurorinë e Vlorës.

Informacioni që do të vijë nga kompanitë e basteve është shumë i rëndësishëm dhe në njëfarë mënyre mban peng vijimësinë e hetimit.

Kjo çështje po ndiqet nga prokurorja Flora Çela, nën kujdesin edhe të kryeprokurorit Ramadan Troci. /albeu.com/


Shtuar më 29/01/2015, ora 17:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori