13 tetor, Meta cakton datën re të zgjedhjeve lokale (VIDEO)
Laçi mposht kampionët në shtëpi dhe siguron Europën
Ka festë për dy në Korçë. Feston Skënderbeu që ngriti titullin e katërt radhazi kampion, të pestin në historinë e klubit korçar , por edhe Laçi që me fitoren 1-2 ndaj korçarëve siguron vendin e tretë dhe pjesëmarrjen në Europa League sezonin e ardhshëm.

Është padyshim disfata më e ëmbël e vitit kjo për skuadrën e Mirel Josës që bashkë me tifozerinë korçarë i gëzohen një cikli fantastik duke barazuar me 4 tituj radhazi rekordin e Dinamos së sezoneve 1950-1953, precedentin e vetëm në historinë e futbollit shqiptar me një seri të tillë titujsh kampion.

Është titulli i trajnerit Mirel Josa dhe i kapitenit Shkëmbi, i gardianit Orges Shehi e i bomberit Pejic, kryegolëshënuesit të këtij kampionati në kuotën e 20 finalizimeve apo dhe ndoshta të huajit më të mirë të zbarkuar në Shqipëri, Nuredin Orelesit, është titulli i Dimos, Bicajt Arapit, Muzakës, e gjithë futbollistëve, është padyshim titulli i presidentit Ardian Takaj që vijoi projektin e nisur nga Agim Zeqo duke ndërtuar një klub model për sa i përket organizimit por dhe garancisë financiare, kusht ky i domosdoshëm për suksesin në futbollin modern, por mbi të gjitha është titulli i Korçës, i një qyteti të tërë që feston, është titulli i tifozëve që kishin mbushur shkallët e stadiumit me fanellat e dedikuara për këtë sukses historik.

Një kampionat i mbyllur në kuotën e 64 pikëve, 18 fitore , 7 barazime dhe 8 humbje e fundit ajo ndaj Laçit, me futbollistët korçare që në ditën e ngritjes së titullit natyrisht e kishin të vështirë të gjenin motivimin për t’ia kundervënë urisë së madhe për Europën të kurbinasve që ishin shoqërurar nga një numër i madh fansash.

Ndeshja u bë interesante që në fillim, në minutën e 7-të James mori një top nga Kehinde në shtyllën e dytë dhe me portën bosh shënoi golin e avantazhit për Laçin, kurbanisit në festë në shkallët e stadiumit por përgjumja e mbrojtjes së skuadrës së Stavri Nicajt u shfrytëzua në minutën e 22-të nga Pero Pejic me kroatin që risolli ekuilibrin me golin e tij të 20 sezonal që vulos në të njëjtën kohë dhe titullin e kryegolashënuesit për kroatin.
Gjithsesi laçanët morën sërish komandën në minutën e 35-të, kur ishte Kehinda që barazoi gjatë një rrëmuje në zonë për të dërguar në rrjetë topin e kthyer nga Orges Shehi. Në shtesën e fraksionit të parë kapiteni Shkëmbi iu afrua barazimit me specialitetin e tij, goditjet standard por shifrat mbetën të pandryshuara deri në fundin e takimit me vërshëllimën finale të Enea Jorgjit që nisi një festë për dy, për Skënderbeun kampion të Shqipërisë për të katërtën herë radhazi por dhe për Laçin që siguron Europën.
Shtuar më 10/05/2014, ora 20:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori