"Lëri ndjeshmëritë, por sill letrat": Zbardhet përplasja Ruçi-Spiropali me dyer të mbyllura
Në mbledhjen me dyer të mbyllura të datës 8 nëntor të Konferencës së Kryetarëve ka patur një debat mes ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali dhe kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi për çështjen e aministisë ndaj të burgosurve për krime të lehta që synohet të bëhet në fund të vitit.

Debati nisi për shkak se ministrja Spiropali theksoi se ministria e Drejtësisë kishte përgatitur një nismë për aministinë në fund të vitit, por se nuk kishte asgjë të shkruar në mënyrë që ta fuste për diskutim në komisione.

Kjo gjë nuk i ka pëlqyer Ruçit, i cili ka kërkuar disa herë që të sillet një dokument dhe jo të flitet pa një nismë konkrete për këtë çështje.

Pjesë nga debati mes tyre

Elisa Spiropali - Prej më shumë se një muaji është ngritur një grup pune në Ministrinë e Drejtësisë nën drejtimin e ministres për të sjellë në qeveri dhe më pas në Kuvend një nismë për amnistinë, kryesisht për gratë e burgosura.

Ka padrejtësi sistemike në të gjithë strukturën e Sistemit të Drejtësisë, në raport me gratë e dënuara dhe me radhë. Do të adresohet dhe shumë shpejt do të vijë brenda vitit me propozim të Kryeministrit një nismë për amnistinë.

Gramoz Ruçi - Zonja Ministre, mos më thoni ato që keni ndër mend. Unë këtu jam në institucion, nuk ka nismë për amnistinë.

Elisa Spiropali - Nuk ka të depozituar ende, por po flas...

Gramoz Ruçi - Më fal! Se çfarë keni ndër mend, mbajeni ndër mend, atë që keni ndërmend kthejeni në letra, në nisma dhe silleni këtu.

Elisa Spiropali - Thashë vetëm për afatet, pra që do të vijë brenda vitit.

Gramoz Ruçi - Mirë, kur të vijë, atëherë edhe ne do të mblidhemi dhe do të bëjmë kalendarin.

Elisa Spiropali - Meqenëse kishte ndjeshmëri zonja Hajdari thashë ta adresoj si çështje.

Gramoz Ruçi - Zonja Hajdari ka ndjeshmëri, mirë bën që e ka ndjeshmërinë dhe ju ta keni ndjeshmërinë. Ndjeshmërinë të mos e keni vetëm për gratë, diskriminime nuk ka për çështje të tilla, as për gratë, as për burrat. Unë i kam dëgjuar këto diskutime. Të gjitha gratë dalin jashtë.

Elisa Spiropali - Me gjithë respektin 98% e vrasësve të grave janë burra, pra nuk besoj se ka vend për ndjeshmëri të madhe në këtë rast, ndërkohë që shumica e atyre që dënohen janë ato që vetëmbrohen. Prandaj lind nevoja për ta adresuar këtë padrejtësi.

Gamoz Ruçi – Kur të mbroni nismën, jepini të gjitha këto argumente, sot nuk ka nismë. Je përfaqësuese e qeverisë, por nuk ka nismë. Sillni nismën!

Elisa Spiropali - Nuk është depozituar, por do të vijë në Kuvend shumë shpejt.
Shtuar më 21/11/2019, ora 17:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori