Partizani, brenda 4 ditësh kaloi nga ferri në parajsë
Pëlqej
Suksesi minimal i Partizanit në transfertë me Kukësin ishte pa dyshim rezultati më surprizë i javës së katërt të kategorisë superiore. Një rezultat disi i papritur për vetë faktin se nënkampionët e Shqipërisë, ndër pretendentët kryesorë për titull edhe këtë sezon, kishin thuasje një vit pa u thyer në Zeqir Ymeri. Sigurisht që edhe starti i kampionatit nuk ishte shumë premtues për të kuqtë, që ndryshuan fytyrë pikërisht në momentin e duhur, në përballjet direkte me dy skuadrat më të forta të kategorisë superiore. Por cfarë ndodhi me formacionin e shpëtim Duros, që brenda 4 ditësh kaloi nga ferri në parajsë? Kalendari u kishte rezervuar 15 herë kampionëve të Shqipërisë që në start dy transferta, e para në lac me krurbinasit dhe e dyta në Fier me Apoloninë. Dy takime ku Partizani arriti të grumbullonte vetëm 1 pikë, duke zhgënjyer shumë në Loni Papuciu, ku pasi humbi një 11-metërsh me Nexhipin, meritonte një disfatë edhe më të thellë. Në të dy rastet të kuqtë nga avantazhi psikologjik apo i mundësisë për të kaluar në epërsi, lëshuan më pas shumë terren, deri në shthurje taktike, sikurse ndodhi më Apoloninë. Ndërprërja e shkurtër e kampionatit për shkak të impenjimit të kombëtares në eliminatoret e Euro 2016 erdhi në momentin e duhur, pasi Duro pati mundësinë të korrigjonte dicka në sjelljen e skuadrës në fushë. Afrimi i Endri Vrapit në orët e fundit të merkatos ishte një tjetër aspekt pozitiv, pasi reporti i mbrojtjes kishte nevojë për një lojtar me eksperiencë. Efekti ishte i menjëhershëm. Ne Qemal Stafa ndaj Skënderbeut, Partizani u shfaq mjaft agresiv në fushë dhe i kudjesshëm në fazën mbrojtëse, duke pritur momentin e duhur për t’i dhënë goditjen kundërshtarit. Goli i fitores u shënua në minutën e 90, me Skënderbeun që kishte shumë pak kohë për të reaguar. Thuasje e njëjta situatë u përsërit edhe në transfertë me Kukësin.

Deri në minutët e 88-të rastet më të pastra i kishte skuadra vendase, por pikërisht atëherë kur duhej Partizani gjeti golin e fitores. Duro e ka të qartë që në një kampionat me kaq shumë rivalitet suksesi mund të arrihet vetëm me një skuadër të fortë fizikisht dhe të disiplinuar taktikisht. Katër javët e para të superiores i kanë dhënë shumë përgjige trajnerit të të kuqve, që tashmë duhet të ruajë vazhdimësinë e lojërave dhe të rezultateve për ta mbajtur të ndezur ëndrrën e tifozëve për titullin kampion.
Shtuar më 15/09/2014, ora 14:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori