Pas tre ditësh në intubim, vdes 29-vjeçarja shqiptare shtatzënë nga COVID-19
Ka ndërruar jetë sot një grua 29-vjeçare nga coronavirusi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

E ndjera ka qenë shtatzënë në javën e 27-të, dhe ndonëse ka qenë nën monitorimin e konziliumit mjekësor, nuk është arritur të shpëtohet as foshnja.

Gruaja ishte pranuar fillimisht në Klinikën e Gjinekologjisë javën e kaluar, por në të njëjtën ditë ishte transferuar në Klinikën Infektive e tre ditë më vonë në Mjekimin Intensiv Qendror ku ishte intubuar për shkak të gjendjes së rëndë.

“Mund t’ju konfirmojmë informacionin se një grua shtatzënë (1991) ka ndërruar jetë në Mjekimin Intensiv Qendror rreth orës 3:00 të mëngjesit të sotëm”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së, për gazetashneta.

Fatkeqësisht kjo është shtatzëna e dytë që ka humbur betejën me Covidin në Kosovë që nga muaji mars kur është shfaqur pandemia.

Deri më tani edhe dhjetëra gra të tjera shtatzëna janë infektuar me Covid dhe të njëjtat kanë kryer edhe lindje në Gjinekologji.

Instituti Kombëtar ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë konfirmuar 775 raste pozitive dhe 15 viktima me Sars-Cov-2 pozitiv. Numri total i rasteve pozitive është 37.028 raste nga 137.872 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 963 raste të vdekjes.
Shtuar më 26/11/2020, ora 19:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori