Përgjimet e policëve rrugorë: S'i bëra test alkoli se s'ma mbante by...
Pëlqej
Abonohuni për lajmet sportive me e-mail:
E-maili juaj:      Tani, kontrolloni e-mailin tuaj dhe konfirmoni abonimin!
Gjyqet ndaj punonjësve të policisë nuk janë të pakta ku më të shpeshta janë akuzat për shpërdorim detyre sidomos ku bëhet fjalë për policët rrugorë.

Prokuroria ka marrë nën shqyrtim dy policë të rrugores të cilët akuzohet për shpërdorim detyre, vepër e cila i ka kushtuar jetën një të riu.

Mbrëmjen e 8 nëntorit 2015 një efektiv i Policisë Rrugore në Tiranë ka marrë sinjalizim nga salla operative se drejt vendit ku ishte pozicionuar po shkonte një motor, drejtuesi i të cilit ishte në dukje i dehur, shkruan Panorama.

Efektivi e ka ndaluar motorin dhe ndonëse ka konstatuar se drejtuesi ishte i dehur, pa patentë dhe se nuk kishte asnjë dokument për mjetin motoçikletë, nuk ka marrë asnjë masë ndaj tij.

Gati një orë më vonë, motoristi është aksidentuar. Ky është vetëm një nga episodet për të cilat Prokuroria e Tiranës ka dërguar si të pandehur për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” shtetasin B.C., punonjës të Policisë Rrugore. Ndërsa efektivi tjetër A.C. është dërguar si i pandehur për “akuzën e korrupsionit”.

Sipas Prokurorisë, ai kishte marrë një ryfshet nga vëllai i një personi që ishte shoqëruar për shkak se lëvizte me një mjet me xhama të blinduar, pa lejen përkatëse. Pas shqyrtimit gjyqë- sor një treshe gjykuese i ka vlerësuar të paprovuara pretendimet e Prokurorisë, e cila ka kërkuar dënim me 1 dhe 2 vite burg për të pandehurit.

Të dy efektivët janë deklaruar të pafajshëm në lidhje me akuzat. Hetimi ndaj tyre ka nisur pas një kallëzimi të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Prokurorinë e Tiranës.

Më poshte gjenden bisedat e përgjuara të paraqitura si provë nga prokuroria në gjyqin ndaj dy punonjësve të policisë.

“JAM MBESA E KOLEGES SUAJ”

Në lidhje me një episod të shënuar në 18 tetor 2015, ora 04:17, shtetasja “…” ka deklaruar se ka në përdorim një makinë. I kujtohej se në datën 17 tetor 2015 ajo kishte ditëlindjen dhe pasi e ka festuar në shtëpi me miqtë e saj ka dalë për të shkuar në një pab dhe ka marrë makinën e saj.

Në kohën që ka qenë afër semaforit, pranë ish-Ekspozitës, një punonjës policie me uniformë të qarkullimit rrugor i ka bërë shenjë ndalimi me tabelë. Polici e ka pyetur nëse kishte konsumuar alkool në këtë kohë.

Ajo i ka thënë që “jam mbesa e koleges suaj”. Po ashtu ka deklaruar se atë ditë makinën e ka pasur me qese plastmasi 20% në të katërt xhamat anësorë. Sipas Prokurorisë, për rastin nuk është regjistruar asnjë procesverbal konstatimi shkelje të Kodit Rrugor.

“TE THA GJE NIPI”

Më datë 14.10.2015, ora 20:42, punonjësi i policisë “…” ka marrë në telefon një shtetas tjetër, të cilit i thotë nëse i ka thënë gjë nipashi i tij për xhamat e veshur, pasi e ka falur për shkeljen që ka bërë në rrugë.

Ai i pohon që është djali i motrës së tij të madhe dhe se banonte ne rrugën “…”. Nga këqyrja e sistemit të gjobave ka rezultuar se të djeshmen e asaj dite, mjeti në fjalë nuk është ndëshkuar për asnjë lloj shkeljeje dhe as për mungesë të kontrollit teknik.

“NUK I BERA TEST”

Në lidhje me episodin e 8 nëntorit 2015, gjatë hetimit prokuroria ka administruar deklarimin e një prej specialistëve të informacionit në Komisariatin Rajonal të Qarkullimit Rrugor Tiranë.

Referuar vendimit të Gjykatës, ai ka pohuar se rreth orës 18:40 të kësaj date është njoftuar nga oficeri i sallës operative të Drejtorisë së Policisë rreth një personi që po udhëtonte me motor në dukje i dehur. Këtë njoftim ai ua ka kaluar efektivëve në terren, në segmentin ku ishte drejtuar motori.

Disa minuta me mbrapa e ka marrë në radio punonjësi i qarkullimit, i cili i ka thënë se ndaluan drejtuesin e mjetit me gjithë mjet dhe se ky mjet nuk kërkon që drejtuesi të ketë leje drejtimi, pasi ka fuqi motorike të vogël.

Sipas Prokurorisë, në orën 20:35 të po kësaj date, drejtuesi i motorit ka bërë një përplasje me një mjet tjetër me targa të huaja pranë karburantit “B… Oil”. Nga përshkrimi është përcaktuar se ishte i njëjti mjet.

Pas aksidentit, me urdhër të shefit të komisariatit të zonës është bërë shoqërimi i drejtuesit të motorit, të cilit i është bërë dhe testi i alkoolit.

Në këtë datë, në 19:30, B.C. telefonohet nga kolegu i tij. …
896: Ai motorri jeshil që kishte ndaluar në qafë Kasharit i erdhi dhe u përplas këtu te “B… Oil”, bëri aksident.

…922: Ça thu mor burrë…

…869: Po pyes për merak sa e kishte pipin (alkoolin).

…922: Nuk i bëna test alkoli jo se nuk ma mbante by… deshta me justifiku.

“ESHTE I MADH O SHEF”

Në vijim, në orën 23:54, ai është telefonuar nga një punonjës tjetër policie, i cili i thotë “përse nuk the që motori ishte me sedilje dyshe dhe duhet të ishte me patentë”

…780: Ai motorri që ndalove ti, bëri aksident këtu. Ishte me sedilje dyshe. Përse s’the që duhet të ishte me patentë që atje? Ai ishte me sedilje dyshe? Përse s’the ti o vëlla…

…922: Po ai ishte me sedije dyshe, por ishte me patentë të vogël…
Në orën 21:53 e merr në telefon një punonjës policie me numër

…744, me detyre agjent verifikues në qarkullimin rrugor, i caktuar t’i bëjë testin e alkoolit shtetasit me motor që bëri përplasjen dhe i thotë:

…744: A i bërë test alkoli këtij motorrit? Motorri nuk ka targa fare. Është me dy shala dhe nuk ka dokumenta fare.

…922: Jo, jo ka targa. Ishte me targa të vogla. Nuk kishte dokumenta me vete. Na tha nuk i kam me vete se…

..744: Është me targa me fallco o shef. Është i madh o shef. I kalon ato parametrat dhe është me kilometrazh 80, kështu që do ndiqet penalisht ai. Si ta trajtojmë, mjete pa letra, pa dokumenta, motorr pa targa…?

…922: Nejse, kilometrazhit vari leshtë ti s’ke punë, bëj vetëm testin e alkolit dhe mos u merr me atë punë!

“DOLI GERRNETE”
Në orën 22:16:34, po ky koleg e merr në telefon efektivin B.C.
Kolegu: Ore doli gërrnetë mor burrë.

B.C.: Po gërrnetë ishte që atje, po sa i doli?

Kolegu: OPGJ thotë do arrestohet pasi është i dehur, mjeti ka dy shala dhe kilometrazhi shënon 80.

“DO E PIME KAFEN?”
Më datë 11.11.2015, ora 09:16, është telefonuar nga një shtetas, i cili i thotë që ishte ai djali tek “Astiri” për atë punën e patentës.

…763: Jam ai djali tek “Astiri” për atë punën e…

B.C.: Po, po, po…

…763: Ku të të takoj vllai ty të të jap një kafe? Ku në ç’vend je?…

B.C.: Kur t’kesh kohë ne pimë kafe kur të duash, s’ka rëndësi a ma jep a ta jap, rëndësi ka që të pimë kafe…

…763: (qesh) pa merak fare, nga pasditja do të marr në telefon. Faleminderit ëëë.

DYSHIMI PER RYSHFET

Më datë 11.10.2015, ora 17:36, punonjësi policisë “…”, përgjegjës grupi në TaskForcë, në Komisariatin Rajonal të Qarkullimit Rrugor Tiranë, është telefonuar nga një vartës, i cili e ka pyetur se çfarë duhet të bënte në lidhje me automjetin tip fuoristradë, me karroceri mbrapa me xhama të blinduar, të bllokuar prej tyre.
Sipas Raportit të Shërbimit bërë nga kjo strukturë, midis të tjerave shkruhet: Gjatë kontrollit konstatuam se mjeti ishte i blinduar në dukje dhe nuk dispononte leje të posaçme për këtë fakt.

Sipas Prokurorisë, megjithëse merr njoftim prej vartësit të tij për shkeljet e konstatuara për mjetin në fjalë, që është me xhama të blinduara dhe nuk ka kontrollin teknik, me qëllim që të mos ndëshkohet shkelësi sipas ligjit me bllokim mjeti, i jep porosi që në procesverbalin e konstatimit të mos i shënojë të gjitha shkeljet, por te rubrika që duhet ta plotë- sojë shkelësi të shënojë vetë me shkrimin e tij fjalët: “Nuk kam bo kontroll teknik…” dhe asnjë gjë tjetër.

“100 MIJE LEKE”

Nga deklarimi i shtetasit të shoqëruar për mjetin me xhama të blinduara, ai ka pohuar se “xhamat nuk i di se janë të fabrikës apo janë të vendosura nga ai që e ka blerë”. Këto xhama janë të vendosura përpara, anash dhe mbrapa.

I pyetur se kush ia kishte dhënë lekët policit, ai deklaron: “Mua më tha vëllai që i dhashë policit njëqind mijë lekë. Nuk e di të vërtetën, ia ka dhënë apo më ka gënjyer vëllai. Ju them se vëllai nuk jeton më, pasi para dy muajsh u aksidentua me pasojë vdekjen”. /albeu.com/

Shtuar më 19/05/2017, ora 10:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori