Skënderbeu – Partizan, shpërblimet që kanë vendosur presidentët për lojtarët në rast të fitores
Pëlqej
Në “Elbasan Arena”, nesër (të enjten) Skënderbeu do të synojë të marrë fitoren e parë në grupin B të Ligë së Evropës në një ndeshje shumë të ndierë për të gjithë shqiptarët pasi përballë, korçarëve do të jetë një skuadër serbe.

Por, misioni nuk do të jetë aspak i lehtë për formacionin e Ilir Dajës. Edhe pse Skënderbeu e ka treguar shpeshherë që forca e vërtetë e kësaj skuadre bazohet te grupi dhe jo tek individët e veçantë, mungesat e dy lojtarëve titullarë siç janë sulmuesi i krahut Enis Gavazaj dhe mesfushori i talentuar nga Mali Bakary Nimaga pritet të peshojnë.

Të dy lojtarët janë të dëmtuar ashtu si edhe sulmuesi çek Martin Nespor i cili ka udhëtuar drejt Gjermanisë për të zhvilluar disa seanca terapie. Ndërkohë presidenti Ardjan Takaj ka konfirmuar se edhe në këtë sfidë shpërblimi nuk ndryshon. Në rast fitoreje ndaj serbëve në xhepat e futbollistëve të Skënderbeut do të përfundojnë 100 mijë euro, ndërsa në rast barazimi shpërblimi do të jetë 50 mijë euro.

Kurse Partizan për këtë përballje të një rëndësie kaq të madhe ka përcaktuar një shpërblim prej 130 mijë eurosh në rast fitoreje ndaj skuadrës së Ilir Dajës.

Vlen të kujtohet se, Skënderbeu përballet për herë të parë me Partizanin e Beogradit, në arenën evropiane. /albeu.com/
Shtuar më 18/10/2017, ora 17:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori