"Sportradar na falsifikoi raportin", flet Takaj: Çuan tjetër gjë në CAS, presim drejtësi
Në Korçë nuk çuditen aspak për përfshir jen e “Sportradar” në skandalin e basteve klandestine. Kjo kompani që ndikoi direkt në dënimin e Skënderbeut, është duke u hetuar nga drejtësia italiane për lidhjen me mafien.

Ata dyshohen se nëpërmjet filialeve të tyre kanë shitur të dhëna për kuotat e ndeshjeve dhe kanë xhiruar një shumë që shkon në afro 4.8 miliardë euro. Ardjan Takaj, në një prononcim të dhënë enkas për këtë çështje në “TV Klan”, ka saktësuar se vend për habi nuk ka, ndërsa kujton se pikërisht kjo kampioni që ka ndërtuar edhe sistemin BFDS, ka falsifikuar raportin që solli dënimin e klubit bardhekuq.

“Në mënyrë të turpshme, raportet janë të gjitha të falsifikuara nga origjinali. Ndryshimet janë të dukshme dhe ia kemi bërë me dije edhe Gjykatës Sportive në Lozanë. Raport tjetër është paraqitur në KAS dhe tjetër ka dalë nga ‘Sportradar’ kur ka mbaruar ndeshja. Seanca dëgjimore që ishte në KAS, është vite dritë larg nga vendimi që u mor për Skënderbeun”, u shpreh fillimisht ai, duke e cilësuar të manipuluar dënimin që u mor ndaj klubit korçar.

Shpresat – U bënë disa ditë që drejtësia italiane ka nisur zyrtarisht hetimet për këtë rast. Gjithçka nisi pas rrëfimit të një të penduari të mafies, që dha detaje për lidhjet me “Sportradar”. Nëse do të vërtetohej, do të ishte pa dyshim një goditje e rëndë për të gjithë sistemin antitrukim që UEFA ka kërkuar me ngulm të ndërtojë gjatë dekadës së fundit. Por jo vetëm kaq, por do t’i jepte shpresë Skënderbeut që të tërhiqej vendimi i dhënë.


Ndaj, edhe presidenti ka vënë në lëvizje avokatët e tij. “Duke parë këto lajme, por edhe historinë e spanjollëve që akuzohen nga Prokuroria Spanjolle, të gjithë njerëzit që janë përfshirë në dënimin e Skënderbeut e deri te ‘Sportradar’, ia kemi deleguar avokatit tonë. Në momentin që do të dalë një vendim nga drejtësia italiane, atëherë edhe ne do të reagojmë në UEFA dhe te të gjitha institucionet me të cilat po merremi”, përfundoi presidenti.
Shtuar më 05/11/2019, ora 19:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori