Superliga nxeh motorët, starti në fundjavë
Pëlqej
Sezoni i ri futbollistik që ngriti siparin me ndeshjen e Superkupës së Shqipërisë Skënderbeu–Flamurtari, po përgatitet të nxehë motorët për sfidat e kategorisë Superiore, që këtë sezon do të luhet me një tjetër skemë, me 10 skuadra dhe 4 faza.

Gjithçka nis këtë fundjavë me 5 sfida që do të shpërndahen 2 të shtunën: Elbasani–Skënderbeu dhe Flamurtari-Teuta; dhe tre të dielën: Laçi–Partizani, Tirana–Apolonia dhe Vllaznia-Kukësi.

Merkatoja e verës por edhe faza përgatitore u kanë dhënë mundësinë protagonistëve të garës të bëjnë ndërhyrjet e nevojshme për të krijuar një grup sa më kompetitiv për të pretenduar trofetë madhorë.

Çdo fillim sezoni jemi mësuar të vecojmë dy apo tre ekipe se pretendente për titull, por këtë radhë situata paraqitet edhe më e nxehtë. Skënderbeu dhe Kukësi, me autoritetin e kampionit dhe nënkampionit të vendit ruajnë reputacionin e favoritëve kryesore për trofe, por nuk mbetet pas Flamurtari, që pavarësisht largimit të Hair Zeqirit, e ka përforcuar grupim me elementë të tjerë cilësorë. Mbretëresha e merkatos së verës është pa dyshim Tirana, që ka bërë pjesë të organikës së saj emra të tillë të rëndësishëm si Bulku, Bakaj dhe Curri.

Partizani pa shumë bujë, e ka bazuar merkaton te elementët e perspektivës, që kanë dhënë prova si në futbollin shqiptar ashtu edhe në atë kosovar e maqedonas, ndërsa Laci me eksperiencën që ka fituar në superiore, vështirë të jetë poshtë 5-shes më të mirë.

Teuta pa shumë bujë synon të ketë rolin e saj në këtë kampionat, ndërsa Vllaznia e ndërtuar në emergjencë, mbetet një enigmë për t’u zbuluar.


Elbasani dhe Apolonia, skuadrat e sapongjitura në superiore, në letër mbeten ekipet që kanë pretendimet më modeste në kampionat, mbijetesën, megjithatë futbolli, që nuk i përjashton surprizat, ka treguar se emrat e rëndë jo gjithmonë të udhëheqin drejt suksesit. /albeu.com/
Shtuar më 21/08/2014, ora 15:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori