Teuta barazon me Laçin
Pëlqej
Teuta dhe Laçi janë ndalur në barazim 0-0 në :"Niko Dovana".

Edhe pse dominoi gjatë gjithë 90-minutëshit, Teuta nuk arriti të finalizonte mundësitë që iu dhanë dhe në fund iu desh të kënaqej me vetëm një pikë, pasi përballja e luajtur në Niko Dovana mes djemve të detit dhe Lacit përfundoi në barazim pa gola.

Teuta e mbështetur edhe nga publiku vendas e nisi në sulm ndeshjen. Pas vetëm 5 minutave lojtari i ardhur në ditët e fundit të merkatos te durrsakët nga Tirana, Erlind Koreshi ishte shumë pranë golit, por fati nuk ishte me mesfushorin lushnjar pasi topi goditur prej tij u ndal nga traversa. Në minutën e 9-të ishte lojtari që ka spikatur më shumë te djemtë e detit në këtë fillim sezoni, Xhevdet Shabani, ai që pati një mundësi të mirë por lojtari i Teutës nuk e kishte kthjelltësinë e duhur për t’i bërë keq Vujadinovicit. Me kalimin e minutave loja u barazpeshua disi me Lacin që filloi të hidhte vështrimin nga porta e Rizvanit. Në të 31-tën Alfred Zefi me një goditje potente nga jashtë zone vuri seriozisht në provë portierin Rizvani që mrekullisht e dërgoi topin në këndore. Gjithsesi formacioni i Hasan Likës e rriti sërish presionin dhe në minutën e dytë shtesë të fraksionit të parë të lojës mund të kishte shënuar nëse Brunild Pepa do të kishte arritur të devijonte drejt rrjetës topin që iu servir në mënyrë të shkëlqyer nga Peposhi.

Edhe pjesa e dytë nisi në sulm për Teutën. Në minutën e 52-të Rustem Hoxha me një goditje të fuqishme nga distanca ishte shumë pranë realizimit të një supergoli por fati edhe njëherë tjetër nuk ishte me skuadrën durrsake pasi topi i gjuajtur nga mesfushori u ndal sërish nga një tra me ndryshimin e vetëm që këtë herë nuk ishte traversa por shtylla që i mohoi Teutës festën e golit. Edhe pse trajneri i Lacit Armando Cungu tentoi ta fitonte këtë sfidë duke hedhur në fushë edhe Migen Memellin sërisht ishte formacioni i Hasan Likës, që u shfaq më i rrezikshëm. Në të 82-tën provoi me kokë Rafael por pa rrezik, ndërsa vetëm 4 minuta më vonë, kurbinasit duhej ti faleshin portierit të tyre malazezit Miroslav Vujadinovic që me këmbë priti goditjen e Shabanit duke i thënë jo golit të Teutës. Në fund gjithçka përfundoi 0-0 me dy skuadrat që ndanë nga një pikë por për atë cka ekipet shfaqën në fushë pika i shkon më përshtat Lacit.
Shtuar më 14/09/2014, ora 22:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori