VIDEOSKANDALI/ Reagon imami Ahmed Kalaja: Ishte në rafshin e humorit, u keqkuptua
Regjistrimi i një videoskandali nga hoxhë Ahmed Kalaja me dy futbollistët e Kombëtares, Andi Lila dhe Armando Sadiku ku flasin për fenë është bërë shumë hit në mediat sociale.
Pas bërjes publike të këtij materiali video ka reaguar edhe ligjëruesi i një prej xhamive më të mëdha të Tiranës “Dine Hoxha”, Ahmed Kalaja.

Reagimi:

Sqarim për mediat.

Duke marrë shkas nga publikimi i bisedës të bërë mes meje dhe dy miqve të mi lojtarë të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, e cila u publikua nga të gjitha mediat e vendit, më lejoni të shpreh keqardhjen time për keqkuptimin e qëllimit të asaj bisede.

Si një përfaqësues i besimit islam, si prijës fetar dhe si atdhedashës, nuk do ia lejoja kurrë vetes që mendimet dhe bindjet e mia për klerikë apo pjestarë të komuniteteve te tjera fetare, të jenë në kundërshtim me mësimet e Islamit, i cili na mëson respekt dhe tolerance me pjestarë të besimeve të tjera qiellore, aq më tepër të cënohet toleranca ndërfetare e jona si vlerë kombëtare.

Dua të shpreh gjithashtu keqardhjen time për mënyrën se si u kuptua biseda jonë e cila anonte më shumë në rafshin e humorit, pa ndonjë të keqe, duke qenë se shakatë u bënë edhe për përfaqësues të besimit islam.

Gjej rastin, si një njeri i besimit, të shpreh keqardhjen time nëse fjalët e mia apo të miqve të mi kanë cënuar sadopak kolegët edhe miqtë e mi të krishterë, duke i shprehur në të njëjtën kohë ndjesën time si dhe garancinë; Se respekti dhe toleranca ime për ta, ngelet e palëkundur./Albeu.com/
Shtuar më 23/03/2017, ora 19:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori