Vllaznia "fundos" Elbasanin
Pëlqej
Vllaznia nuk shkëlqen por fiton dhe në një kampionat, ku rivaliteti është në maksimum, ato që kanë rëndësi janë pikët.

Në një javë aspak të qetë për Rainerin, ekipi dha një përgjigje në fushën e lojës duke treguar se brenda kuadratit të gjelbërt gjithcka funksionon, madje dhe sa i përket blerjeve me Sosan, që u zhbllokua për herë të parë në këtë sezon duke i dhënë fitoren të tijve, në të tretën ndeshje radhazi që shkodranët nuk pësojnë.

Pa tifozë, skuadra shkodrane kërkonte rezultatin e pestë pozitiv radhazi përballë një Elbasani, që nga ana e tij synonte t’i jepte fund humbjeve në këtë fillim kampionati.

Sikur të mos mjaftonin diferencat në emra mes dy ekipeve, Elbasani zgjodhi dhe ditën e gabuar, për të kërkuar rezultat, pasi Sosa, i ardhur në huazim nga Empoli, jo vetëm që zhvilloi ndeshjen e tij më të mirë në Superiore por gjithashtu dhe shënoi golin e parë kuqeblu, teksa kaloi përpara Vllazninë në të 23-tën.

E gjithë festa ishte për uruguajanin, që në fakt duhet t’i thotë faleminderit dhe Kotorrit, që bëri një dalje të gabuar. Për verdheblutë duket se ishte dita e gabimeve, pasi në të 28-tën, Dalipi pati mundësinë për të barazuar rezultatin nga pika e bardhë, por 11-metërshi i ekzekutuar prej tij ishte për t’u harruar me Selimajn që e ndali pa shumë probleme.

Në pushim Vllaznia mund të kishte vajtur në epërsi të dy golave por Kotorri këtë herë ishte në lartësinë e duhur duke ndalur goditjen e Hajdarit. Në pjesën e dytë Vllaznia sërish ishte dominuese dhe agresive në sulm falë dhe Sosas, që pasi shpërdoroi vetë të në 64-trën, u tregua altruist në të 76-tën por Kalaja nuk e shfrytëzoi sic duhet pasimin e tij.

Ndërkohë në të 68-tën, Elbasani kishte patur një tjetër rast të jashtëzakonshëm për të barazuar por Cota kërkoi parabolën përballë Selimajt, që sërish u shfaq në lartësinë e duhur duke pritur pa shumë probleme.

Në minutat e mbetura, Vllaznia e kontrolloi pa shumë probleme lojën duke marrë tre pikë të rëndësishme për renditjen, me flamurin e saj që valëvitet tashmë mes skuadrave të kreut.
Shtuar më 27/09/2014, ora 21:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori