Vllaznia-Tirana, "Samit" pajtimi në Shkodër
Pëlqej
Ditën e enjte ka mbërritur në Shkodër një grup drejtuesish bardheblu, të përbërë nga Refik Halili, Lutfi Nuri, Indrit Fortuzi, Krenar Alimehmeti etj. Ata janë takuar e kanë sheshuar me kolegët kuqeblu (Isuf Isufi, Ramazan Rragami, Armir Grima, Neritan Kalamishi etj) të gjitha polemikat që shoqëruan ndeshjen Vllaznia-Tirana 1-1, ku evidente dhe e frikshme ishte dhuna mes dy tifozërive.

Në mesditë, në një konferencë të përbashkët për shtyp, palët i kanë shtrirë në një farë mënyre dorën e pajtimit të dy klubeve ndër më të vjetrat në Shqipëri. Ky veprim vjen menjëherë pas faljes së kërkuar nga ana e donatorit të Tiranës, Refik Halili, për të sheshuar të gjitha mosmarrëveshjet e fundit të lindura me klubin dhe tifozët shkodranë.

Gjatë fjalës së tyre, si përfaqësuesit bardheblu, edhe ata të Vllaznisë, e kanë konsideruar si të mbyllur këtë histori të keqe mes tyre, duke ia lënë gjithcka së shkuarës. Halili dhe Isufi kanë konfirmuar vullnetin e palëkundur për t’iu rikthyer epokës së marrëdhënieve të shkëlqyera që ka ekzistuar gjithmonë mes dy klubeve me traditë.

Shkodranët, që në momentin e faljes publike që kërkoi Refik Halili, kanë pohuar se drejtuesit e 24 herë kampionëve të vendit po tregojnë me këto veprime gjeste qytetarie e vëllazërimi, jo ndarjeje e dhune, sikurse ndodhi të enjtejn e kaluar në "Loro Boriçi". Klubi shkodran e ka mirëpritur pa asnjë hezitim nismën e bardhebluve. Nismë e cila, sipas zv.presidentit Isuf Isufi, pavarësisht asaj që ndodhi, do t’u vlejë jo vetëm dy klubeve, por mbarë futbollit shqiptar.

Të enjten e kaluar, fundi i ndeshjes me Vllaznisë dhe Tiranës krijoi një situatë shumë negative. Tifozët e të dyja skuadrave u përballën në mënyrë të dhunshme mes tyre, duke krijuar incidente dhe rrezikuar jetët e të pranishmëve në stadium. Pas atyre ngjarjeve, sigurisht që të humbura dolën klubet respektive, pasi u dënuan ashpër nga Disiplina: Vllaznia me 10 takime pa tifozë dhe Tirana me 15 ndeshje.

"Samiti" i pajtimit mes drejtuesve të dy klubeve duket se do t’i paraprijë edhe një vendimi të Apelit (që të martën e shtyu mbledhjen), më të butë e më të reduktuar për kuqeblutë e bardheblutë. /albeu.com/

Shtuar më 18/09/2014, ora 15:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori