Vlorë, i jepet lamtumira e fundit Alfred Zijait
Alfred Zijait, ish-futbollistit të shquar të kombëtares dhe skuadrës së Flamurtarit, që u nda dje nga jeta ne moshën 52-vjeçare, iu dha sot lamtumira në qytetin e tij të lindjes. Trupi pa jetë i Zijait u vendos në mjediset e Klubit të Futbollit Flamurtari, ku u zhvilluan homazhet.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, vlerësoi kontributin e Zijait për futbollin shqiptar. “Një ditë e dhimbshme, jemi të pikëlluar për humbjen e tij, futbollistit ndër më të mirët e kombëtares shqiptare dhe futbollit vlonjat, Fredit. Kontributet e tij janë të mëdha me organizimin e futbollit të sallës, por dihen edhe kontributet e tij për FSHF-në. Ishte një talent i madh dhe është një ngjarje e rëndë humbja e tij", theksoi Duka.

Nga ana e tij, nënkryetari i PD, Astrit Patozi, u shpreh mes të tjerash se, sot i jepet lamtumira një vlonjati të shquar, i cili nuk i përkiste vetëm Vlorës.

"Është një ditë e trishtueshme pasi ka humbur jetën një prej personaliteteve të shquara të futbollit, Alfred Zijai. Ai nuk i përkiste vetëm Vlorës, pasi për vite të tëra ai u shndërrua në një ikonë të vërtetë të sportit shqiptar dhe më gjerë, si një ndër futbollistët më të shquar të Flamurtarit dhe ekipit tonë përfaqësues".

Zoti Patozi solli në vëmendje edhe kontributet e Zijait për demokracinë në Shqipëri, duke qenë ndër të parët që përqafoi demokracinë.

"Sot është dita për t’u përulur me nderim përpara themeluesve të PD, pasi ai ishte një ndër burrat që përqafuan të parët demokracinë në këtë qytet", u shpreh Patozi.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, e cilësoi Alfred Zijain si një ndër emrat më të spikatur dhe legjendë të futbollit vlonjat në vite. "Është ditë e dhimbshme, sepse përcjellim mikun, shokun tonë, një nga emrat e spikatur të futbollit legjendar vlonjat Alfred Zijain. Është një ngjarje e rëndë jo vetëm për opinionin sportiv vlonjat, por edhe më gjerë", theksoi Gjika.

Homazhe bëri edhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, i cili mes të tjerash u shpreh se, "Fredi ishte shoku ynë i mirë. Ai do të mbetet legjenda e futbollit vlonjat dhe atij shqiptar. Na ka lënduar kjo ikje e parakohshme, sot ne humbën një njeri të mirë dhe punëtor. Do të mbetet në zemrat tona dhe të të gjithë vlonjatëve". /albeu.com/
Shtuar më 09/02/2013, ora 16:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori