Po shkëlqen te Juve, 10 kuriozitete për Weston McKennie
Ueston MeKeni është i pari amerikan i historisë së Juventusit. I mbërritur verën e kaluar në Torino, 22-vjeçari bëri debutimin që në javën e parë, ndërsa goli i parë erdhi në derbi.

Por, nëse në fushë numrat e tij janë në sytë e të gjithëve (21 prezenca dhe 4 gola), le të zbulojmë pak më shumë “botën” e MeKenit jashtë kontureve të fushës, me “Gazzetta dello Sport”, që sjell kuriozitetet mbi amerikanin.

“HERRI POTER” MEKENI – Për 889 mijë ndjekësit e tij në profilin “Instagram”, ku së fundmi është shtuar fotoja e tij, pas golit me Bolonjën ku festonte me shkopin magjik si “Harri Poter”, konfirmon edhe një herë se është një fans i sagës së famshme me të njëjtin emër. Madje, edhe në profilin e tij, amerikani etiketohet si “Herri MeKeni”. A thua të jetë vërtet një magjistar mesfushori i Juves?

ELOZHET E ALEKSIS LALAS – Ish-futbollisti tjetër amerikan me një të kaluar në Itali, në radhët e Padovës, ka qenë fansi i MeKenit që në vegjëli, për të cilin, që kur hodhi hapat e parë e përkufizoi: “Ueston është një futbollist ‘rock and roll’. Ka forcë fizike dhe mendore, i qesh në sy kundërshtarit dhe nuk ka frikë të provojë çfarë t’i kalojë në mendje, edhe mbi situata shumë delikate. Por, mbi të gjitha është i përulur dhe di të ngrejë zërin kur duhet. I tillë ishte që i vogël, ndaj Juvja ka bërë një blerje të madhe”, shprehej Aleksis Lalas.

“SOCCER” APO FUTBOLL AMERIKAN – Për sa i përket të kaluarës së tij amerikane, në Teksas, Ueston ka luajtur si “soccer” (futbolli normal), por edhe futboll amerikan (NFL, siç njihet atje, ndonëse për futboll amerikanët nënkuptojnë regbinë amerikane, me topin vezak në duar). Gjithsesi, kur erdhi koha për të zgjedhur se cila do të ishte e ardhmja e tij, MeKeni zgjodhi “soccer”-in dhe transferimin në Europë.

KROMOZOME MARINSI – Babai i Uestonit është një marins, që ka shërbyer në bazën e NATO-s në Ramshtajn, fare pranë Kaizerslauternit. Kjo bëri që MeKeni të transferohej në Gjermani që në moshën 6-vjeçare, duke trashëguar nga babai i tij sensin e disiplinës dhe vullnetit të fortë.

“JETË E SHPIFUR” – Për sa u përket detyrave “ushtarake”, për MeKenin dëmtimet janë një makth, që duhen kaluar sa më shpejt që të jetë e mundur: “Kur jam i dëmtuar dhe mendoj se nuk po ndihmoj skuadrën time, por mbi të gjitha atë që dashuroj të bëj është diçka që nuk e duroj. Ëndrra ime është të luaj futboll dhe nëse nuk e bëj çdo fundjavë apo mesjavë, kur shokët e mi zbresin në fushë, jeta bëhet shumë e shpifur për mua”, deklaron MeKeni.

PULISIÇ, MIKU I FËMIJËRISË – Dhe në fëmijërinë e juventinit bën pjesë edhe ylli i Çelsit, Kristian Pulisiç: “Është dëfryese të jesh mik i tiji, ndonëse në disa intervista duket sikur është shumë i sertë. E njoh që kur isha 13 vjeç dhe së bashku kemi kaluar të gjitha stazhet në kombëtaret e moshave të Amerikës”.

NË KOMBËTARE ME REKORD – Ueston MeKeni nuk ka vonuar që të vendosë një rekord që i përket vetëm atij, në historinë e kombëtares amerikane të futbollit. Në një eliminatore kundër Kubës, të fituar nga amerikanët 7-0, MeKeni realizoi tripletën më të shpejtë të historisë. Iu deshën vetëm 13 minuta.

MAMAJA ËSHTË “SHEFJA” – “Mami është ‘shefja’ në shtëpinë tonë. Ajo do të më jepte shuplaka, nëse papritur do të nisja të sillesha si një yll”, deklaronte MeKeni disa kohë më parë për “Kicker”, duke konfirmuar se sa e rëndësishme është figura e të ëmës për juventinin.
Shtuar më 26/01/2021, ora 11:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori