10-shet e deshtuara
Albeu.com
Fanella me numrin 10 gjithmonë është konsideruar e magjishme dhe historikisht u ka takuar futbollistëve të cilët kanë hyrë në legjendë, Pele, Maradona e Zidane. Por, në Kampionatin botëror 2010 shumë prej yjeve me këtë numër kanë dështuar të përmbushin parashikimet e tyre.
Shembuj ka me bollëk, Kaka, Messi, Rooney përveç të tjerësh. Të vetmit që ende po e mbajnë ‘gjallë’ numrin 10 në Afrikën e Jugut, janë Diego Forlan dhe Wesley Sneijder.

***

Gjithmonë është konsideruar si numër magjik në futboll, por fanella me numrin 10 ka dështuar të përmbushë parashikimet e saj në Kampionatin botëror në Afrikën e Jugut. Bartja e fanellës me numrin 10 konsiderohet si nder dhe zakonisht i takon futbollistit më të mirë të ekipit.

Ajo dikur bartej nga Pele, më pas Diego Maradona dhe Zinedine Zidane. Por, derisa ajo që brazilianët e quajnë ‘dez’ dhe argjentinasit ‘diez’, dikur kishte statusin e një ikone, gjenerata aktuale ka dështuar të përcjellë hapat e paraardhësve të tyre.

Numri 10 i Brazilit, Leite Kaka para fillimit të Botërorit 2010 kishte shpresuar të ngre emrin e tij në sallonin e të famshmëve, pas rikthimit nga lëndimi në shpinë dhe sezonit të dobët në Real Madrid.

Por, paraqitja e tij ushte nën nivelin e pritur, derisa Brazili nuk ishte as për afër shkallës së gjeneratës së Peles, duke u eliminuar nga gara pas humbjes në çerekfinale nga Holanda. Kaka nuk shënoi asnjë gol. Tri asistime dhe asnjë gol nuk ishte ajo që tifozët brazilianë kishin pritur prej tij.

Por, Kaka nuk është i vetëm. Atë e shoqëron futbollisti më i mirë në botë nga viti 2009, Lionel Messi. Librat e rekordeve do të tregojnë se botërori i tij i dytë përfundoi në mënyrë të ngjashme, si ai i pari.

Më 2006, ai ishte lënë në bankinë, derisa Gjermania mposhti Argjentinën në penallti. Kësaj radhe, ai dështoi të shfaqë shkëlqimin e pritur që mund të verbonte gjermanët, të cilët megjithatë e shkatërruan ekipin e tij me rezultat të thellë 4-0.

Sa i përket Anglisë, Geoff Hurst hyri në histori me het trikun e tij në finalen e Botërorit 1966. Por, katër dekada më vonë, Wayne Rooney kaloi një garë të dobët ku ai dha mund, por pa asnjë fryt.

Ylli i Manchester Unitedit – ankthi i mbrojtjeve të ekipeve kundërshtare në Premierligë - nuk shënoi asnjë gol, derisa Anglia me shumë vështirësi u kualifikua nga faza e grupeve para se të eliminohet pas humbjes rekorde 4-1 nga Gjermania.

Një analizë e detajizuar e ekipeve të tjera me ambicie për titull që kanë dëshpëruar në Botërorin 2010, tregon se Franca dhe Italia po ashtu kanë pësuar nga paraqitja e dobët e 10-ave të tyre, Sidney Govou dhe Antonio di Natale, të cilët nuk janë në shkallë të njëjtë me Zidane ose finalistin e garës së vitit 1994, Roberto Baggio.

Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Landon Donovan bëri atë që mundi që të ruajë historinë e tij me fanellën me numrin 10, ndërsa Diego Forlan vazhdon të tregojë kualitetet e tij për Uruguain.

Megjithatë, asnjëri prej këtyre nuk mund të konsiderohet në rang me Pelenë, Maradonën, Hurstin ose një Zidane. Sa u përket pretendentëve të tjerë më numrin 10, Cesc Fabregas do të mund të paraqitej si titullar në shumicën e ekipeve, por Spanja e mban në bankinë një futbollist me talent të jashtëzakonshëm.

Kapiteni i Arsenalit, i cili luajti gjysmë ore në ndeshjen çerekfinale kundër Paraguait, të shtunën, rrallëherë ka rastin të tregojë aftësitë e tij nga minuta e parë. Por, ai së paku ende është pjesë e garës, sikurse holandezi Wesley Sneijder, yll i fitores së famshme ndaj Brazilit, në çerekfinale, i cili tashmë ka shënuar katër gola në Afrikën e Jugut.

Holanda, finalist i mposhtur nga edicionet 1974 dhe 1978, do të mbështeten te mesfushori i Interit të mbajë gjallë legjendën e numrit 10. (express)
Shtuar më 05/07/2010, ora 14:57
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori