23 vjet më parë në Camp Nou, Milan niste ciklin e saj triumfues
Ishte viti 1988 dhe Silvio Berlusconi kishte dy vjet që ishte bërë president i Milanit dhe skuadra kuqezi kishte arritur të triumfonte në Serinë A, pas investimeve të rëndësishme, të kurorëzuar me qershinë mbi tortë, treshen holandeze Rijkaard-Gullit-Van Basten.

Dhe, pikërisht pas atij kampionati, padroni kuqezi u prit në Vatikan, nga Papa Vojtila, të cilit iu drejtua në këtë mënyrë: “I dashur Shenjtëri, më lini t’iu them që ju i ngjani Milanit. Në fakt, ju, ashtu si ne, jeni shpesh në udhëtim, pra në transfertë jashtë Italisë, duke përhapur në botë një ide fituese. Që është ideja e Zotit”.

Një vit më pas, Berlusconi do të fitonte Champions e tij të parë dhe të tretën për Milanin, duke hapur kështu një cikël që do të sillte shumë trofe të tjerë ndërkombëtarë dhe kombëtarë. Por, ajo finale, që do të mbahet mend gjatë, si një nga gëzimet e para të “Kavalierit”, u zhvillua pikërisht në “Camp Nou”, stadiumi ku sot, Milani, mund të shkruajë një tjetër faqe të rëndësishme të historisë, duke eliminuar një nga ekipet më të forta (për të mos thënë më i forti) në historinë e futbollit, Barcelonën e Pep Guardiolës.

Përballë, më 24 maj 1989, në “Camp Nou”, Milani i Arrigo Sacchit kishte Steaua Bukureshtin, që numëronte futbollistë klasi dhe një brez të artë, me Piturkën, Haxhin, Petreskun, Stoikan, Lovanin. Por, suksesi kuqezi ishte i padiskutueshëm dhe bindës: 4-0. Dhe golat, u realizuan pikërisht nga Gullit dhe Van Basten (nga një dopietë për kokë) të gjitha në pjesën e parë. /albeu.com/
Shtuar më 03/04/2012, ora 17:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori