43 miqësoret e Shqipërisë
Pëlqej
Albeu.com
Miqësorja e djeshme me Anglinë (B) është e dyzetekatra për Shqipërinë dhe e treta për Oto Bariç, pas atyre me San Marinon të fituar 3-0, më 22 gusht të vitit 2006 dhe Maqedoninë, më 7 shkurt 2007 të humbur 1-0 në Shkodër.Shqipëria ka zhvilluar deri tani 43 ndeshje miqësore të njohura zyrtarisht nga FIFA, edhe pse përfaqësuesja jonë ka zhvilluar të paktën më shumë se 30 ndeshje që FIFA nuk i ka në rekordet e saj. Miqësorja e parë (e panjohur nga FIFA) është ajo kundër Malit të Zi në vitin 1945. Çuditërisht, miqësorja e parë e jona e njohur nga FIFA është ajo kundër Kubës (0-0), ndeshje e zhvilluar në stadiumin “Tomori” të qytetit të Beratit, më 6 gusht 1988. Nga 43 ndeshjet miqësore, vetëm 19 prej tyre janë zhvilluar në Shqipëri, ndërsa 23 ndeshje janë zhvilluar jashtë vendit, ndërkohë që disa prej tyre kanë qenë pjesë e turneve si ato “Rothmans” në Maltë, Bahrein apo në Norçia të Italisë.

FITORET

Duke parë treguesit e miqësoreve, Shqipëria ka mundur të fitojë 14 prej tyre, ku 12 herë ka qenë pritëse dhe vetëm dy në transfertë. Miqësoret më të thella të fituara janë ato kundër Vietnamit (5-0) në turneun e Norçias, më 12 shkurt të vitit 2003 dhe ajo kundër Turqisë në Gaziantep, më 21 janar 1998, me rezultatin e thellë 4-1. Kjo është edhe miqësorja e dytë e fituar jashtë, së bashku me atë të fituar në “Ta’Qali” të Maltës me rezultatin 1-0, në kuadër të Turneut “Rothmans”. Miqësore të rëndësishme të fituara janë dhe ato kundër Suedisë (2-1), Islandës (2-1) apo Greqisë 1-0 në ndeshjen e zhvilluar në Tiranë më 29 janar të vitit 1992. Miqësorja e fundit e fituar është ajo kundër San Marinos (3-0) më 22 gusht të vitit 2006, që përkoi edhe me ndeshjen e parë në drejtimin e kroatit Oto Bariç.

BARAZIMET

Shqipëria ka dalë e barabartë me kundërshtarët në 11 takime, 3 prej tyre në Shqipëri: Kuba (0-0), Qipro (0-0) dhe Gjeorgji (0-0). Shqipëria ka luajtur edhe një ndeshje si pritëse në turneun e Bahreinit, kundër Finlandës, me të cilën ka barazuar 1-1. Në ndeshjet jashtë, spikat barazimi me Letoninë 2-2, më 10 shkurt 1992, kur të dy vendet merrnin pjesë në Turneun “Rothmans” në Maltë. Barazime janë arritur me Estoninë (1-1), Luksemburgun (0-0), Maqedoninë (0-0), Maltën (1-1), Greqinë (1-1) dhe Bosnjë-Hercegovinën (0-0).

HUMBJET

Janë 17 të tilla, duke filluar nga ajo e Rumanisë në Konstanca, më 20 shtator 1988 (3-2) e deri te ajo e 1 marsit 2006, kur humbëm 1-2 në “Qemal Stafa” me Lituaninë 2-1. Humbja më e thellë është ajo me Maqedoninë (5-1) në Tetovë, më 14 maj 1994, më pas vjen ajo me Meksikën (4-0) në San Diego të Shteteve të Bashkuara. Shqipëria ka humbur edhe një rezultat të bujshëm 5-3 me Portugalinë, ndërkohë që pjesën e parë e kishim mbyllur 2-1 në favorin tonë. Humbja e fundit është ajo me Maqedoninë (0-1) në Shkodër, më 7 shkurt 2007. start
Shtuar më 26/05/2007, ora 15:15
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori