Thyen gishtin, 6 javë stop për Casillas
Portieri i Real Madrid dhe i kombëtares së Spanjës Iker Casillas do të qëndrojë për 6 javë jashtë fushave të blerta. Shkak është bërë një dëmtim, më saktë thyerja e gishtit të njërës dorë, gjatë çerekfinales së kthimit të Kupës së Mbretit, që skuadra e tij e barazoi 1-1 me Valencian, dje në mbrëmje.

Portieri u detyrua ta braktisë fushën pas 17 minutash lojë në "Mestalla", ndërsa klubi ka njoftuar tashmë se ai ka pësuar një dëmtim, çka do të thotë se do të humbasë ndeshjet e Champions League me Manchester Junajtid muajin e ardhshëm.

"Pas kryerjes të ekzaminimeve përkatëse mjekësore në spitalin "Sanitas La Moraleja", është konfirmuar se Iker Casillas ka pësuar një frakturë në dorën e tij të majtë. Situata do të vlerësohet përsëri nga një specialist, të enjten më vonë, i cili do të vendosë se çfarë trajtimi do të ndiqet", thuhet në një deklaratë në faqen e internetit të Real Madrid.

Sipas parashikimeve të para, Kasijas nuk do të luajë në gjashtë javët e ardhshme, që do të thotë se me siguri do të humbasë përplasje të mëdha në kryeqytetin spanjoll. Përveç kësaj, 31-vjeçari është në dyshim edhe për sfidën e kthimit kundër "Djajve të Kuq", ndërsa gjithashtu mund të jetë i detyruar të mungojë ndaj Barcelonës, në "El Clasicon" e 2 marsit. /albeu.com/
Shtuar më 24/01/2013, ora 13:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori