6 vjet nga droni shqiptar në Beograd
Më 14 tetor 2014, në orën 21:27 është ndërprerë ndeshja Serbi-Shqipëri e vlefshme për eliminatorit e Kampionatit Europian "France 2016".

Ndërprerja ishte e pazakontë dhe shumë e tensionuar pasi ishte ndaluar pjesëmarrja e tifozëve të Kombëtares shqiptare në Beograd, ndërsa tifozët serbë në stadium me fishkëllima e britma penguan himnin shqiptar.

Në këto kushte, të rënduara dhe të vështira për ekipin shqiptar, filloi ndeshja. Arbitri britanik Martin Atkinson nuk e kishte të lehtë të vendoste drejtësi pasi lojtarët, tifozët, por edhe zyrtarë serbë që gjendeshin aty, konsiderohej betejë lufte.

E tensionuar, me epërsi të dukshme shqiptare, ndeshja vazhdoi kështu deri në minutën 42. Dhe në atë minutë, nga qielli i Beogradit, sipër tifozëve, më ngadalë e duke valëvitur nga një dron, në fushën e lojës, afrohej flamuri me hartën e viseve etnike shqiptare, me portretet e Ismail Qemalit dhe të Isa Boletinit me mbishkrimin "AUTOCHTHONOUS".

Të gjithë mbeten të habitur e të heshtur duke parë çudinë që po zbriste nga qielli pasi në stadium ishin të ndaluar simbolet e Shqipërisë.

Pastaj futbollistët serb e tërhoqën flamurin e Shqipërisë së madhe për ta përdhosur por lojtarët e kombëtares kuqezi vrapuan menjëherë pas tij duke ia rrëmbyer nga duart.

Pas kësaj, topi u "harrua" dhe filloi beteja fizike ndërmjet lojtarëve të dy ekipeve. Nga tribunat e shikuesve zbritën spektatorët serbë, të cilët sulmuan futbollistët shqiptarë. Një konfrontim fizik i pabarabartë të cilin lojtarët e kombëtares kuqezi e braktisen duke kërkuar shpëtim në dhomat e tyre të zhveshjes.

Pjesëtarët e sigurimit, në vend se të mbronin futbollistët shqiptarë, u bënë bashkë me spektatorët e lojtarët serbë duke i goditur me grushte e karrige derisa ata u futën në kthinën e vet të stadiumit.

Në kushte të tilla nuk kishte si të vazhdohej loja. Lojtarët shqiptarë, pasi e morën veten, e dorëzuan flamurin e rënë fushë te zyrtarët e UEFA-s dhe rreth orës 3 mëngjesit u kthyen në Tiranë.

Dhe këtu përfundoi "pjesa e parë" politike për ta vazhduar pjesa e dytë sportive e ndeshjes:

Komisioni Disiplinor i UEFA-së vendosi më 24 tetor 2014 që ndeshjen e ndërprerë ta regjistrojnë në favor të Serbisë, ndërsa dy kombëtaret të dënoheshin me nga 100 mijë euro, Serbisë t’i hiqeshin dy pikë dhe dy ndeshje t’i luante pa tifozë.

Pas ankesës së Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, më 10 korrik, tri pikët e ndeshjes kaluan në anën e Shqipërisë. Në ndërkohë autori i dronit ishte Ismail Morina ose sic e njohin të gjithtë Ballisti.

Por i gjithë karvani i vuajtjes u shpërble për kuqezinjtë të cilët pas fitores 3-0 ndaj Armenisë, arritën që për herë të parë të siguronin kualifikimin historik të Shqipërisë në Kampionatin Europian.
Shtuar më 14/10/2020, ora 09:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori