7 me 1 bën lëmsh Bundesligën
“Një ndeshje për t’u harruar”, – me këtë citat është shprehur drejtori sportiv i Leverkusenit, Rudi Fëler, duke mos i vënë theksin dështimit historik 1-7 ndaj Barcelonës, – “Kemi shansin sërish të jemi pjesë e Champions-it dhe duam përsëri të ndeshemi kundër Barcelonës. Kjo disfatë nuk mund të përfundojë këtu. Veç të tjerash na duhet të punojmë fort dhe të heqim vëmendjen nga një ndeshje. Messi është gjenial. Me pesëgolëshin e tij ai bën pjesë në legjendat si Pele, Eusebio apo Bekenbauer”, – nënvizoi Fëler.

Ndërsa, trajneri Robin Dut shfajësohet duke u ngritur vlerat kampionëve të botës për klube: “Për sa i përket nivelit të futbollit që katalanasit ofrojnë, nuk kam çfarë të shtoj. Në një ditë të mirë, ata mundin thellë çdo skuadër”, – shtoi Dut.

Por, reagime të ashpra kanë mbërritur nga drejtori sportiv i federatës, Matias Samer, i cili kritikon Leverkusenin për prishjen e imazhit të Bundesligës dhe u kërkon të gjejnë armën anti-Spanjë. “Spanja dhe Barcelona kanë kapur majat e suksesit në botë. Nga ana teknike, ku shpejtësia luan rol kyç, ata janë të pakapshëm, por arma jonë më e fortë është shpirti luftarak. Teksa spanjollët prezantohen me taktikë dhe shpejtësi, ne do lemë gjurmë me stilin gjerman, të paepur, luftarak dhe fitimtarë. Leverkuseni duhet të bëjë mirë llogaritë, pasi ajo përfaqëson si logon e saj, por edhe atë të Bundesligës”, – pohoi Samer, mendimi i të cilit u kundërshtua nga trajneri i Dortmundit, Klop: “Leverkuseni nuk është pasqyra e nivelit të Bundesligës. Klasi i Messit s’mund të përgjithësohet apo krahasohet me një Ligë”. /albeu.com/
Shtuar më 09/03/2012, ora 10:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori