Abazaj: Anderlechti ekspreriencë e madhe, jam tifoz me Tiranën
Kur nuk ndalon së luftuari atëherë vështirësitë janë vetëm të përkohshme". Kristal Abazaj pranoi me guxim një sfidë me shumë labirinte, ndryshimi ishte stratosferik mes Luftëtarit dhe klubit me më shumë emër në Belgjikë, Anderlehtit.

Pjesa e parë e sezonit nuk ka shkuar sipas pritshmërive dhe minutazhi për anësorin ka qenë i reduktuar, megjithatë vetë Abazaj, me mendësinë optimiste, që për hir të së vërtetës nuk i ka munguar asnjëherë, evidenton anët pozitive të kësaj përvoje.

"Kam kaluar një periudhë të vështirë, pasi jam aktivizuar shumë pak, por nuk besoj se ka qenë për fajin tim. Për shkak të disa dëmtimeve kam mbetur prapa, por gjithsesi do ta quaja një eksperiencë të bukur sepse kam mësuar shumë gjëra që nuk i dija."

Ka shumë faktorë që kanë ndikuar në paraqitjen e 22-vjeçarit, nuk është asnjëherë e thjeshtë të ambientohesh menjëherë në një shtet ku nuk ke jetuar kurrë më parë.

Nuk mund të them që jam penduar, përkundrazi kam bërë një hap shumë gjigant. Klima është e ndryshme ambientimi i vështirë, por them se problemet i kam lënë pas krahëve.

E keqja nuk i urohet askujt, por Largimi i trajnerit Vanhazebruk i ka hapur një dritë jeshile Kristal Abazajt. Megjithatë, djaloshi nga Tropoja nuk e përjashton edhe një lëvizje të mundshme që në merkaton e janarit.

“Me ardhjen e trajnerit të ri do të punoj fort gjatë fazës përgatitore. Do të mendoj edhe për largimin në një ekip tjetër në formë huazimi. Por do t’ia lëmë kohës, duhet të flas me drejtuesit.”

Një argument i rëndësishëm është skuadra përfaqësuese. Pak kohë më parë pati një debat në distancë me trajnerin Panucci. Është vetë Abazaj që hedh dritë mbi këtë çështje, duke shtuar edhe një opinion rreth paraqitjes së kuqezinjve në Nations League.

"Nuk jam ndihmuar në asnjë moment gjatë karrierës sime dhe kur më pyetën thashë një përgjigje. Nuk mendoj se kam bërë ndonjë gabim me trajnerin. Si çdo futbollist kam temperamentin tim e ndoshta e teprova pak. Kaluam një moment të vështirë, por ne jemi Shqipëria dhe do të luftojmë që ta lëmë shumë shpejt pas krahëve zhgënjimin e Nations League."

Ka vetëm 6 muaj që është larguar nga kampionati shqiptar dhe për një kohë kaq të shkurtër nuk mund ta humbasësh interesin për Superioren. Anësori analizon paraqitjen jopozitive të ish-skuadrës së tij, Luftëtarit, teksa ka komente pozitive për një prej skuadrave që luftojnë për titull.

“Luftëtari do ta ketë shumë të vështirë pa Rrocën apo Shkurtajn. Nuk mund të jetë ai I dy viteteve të fundit, do të luftojë për mbijetesë. Më pëlqen shumë Teuta, për mënyrën sesi luan, më ngjason me Luftëtarin. Partizani ka bërë mirë, por Kukësi dhe Skënderbeu janë aty. E shoh më të egër luftën për mbijetesë. “

Karriera e një futbollisti është e paparishikueshme dhe një ditë mund ta shohim sërish Kristal Abazajn në kampionatin shqiptar. Zgjedhja e tij e parë është skuadra e zemrës, dhe nuk po flasim për Luftëtarin.

"Jam tifoz i Tiranës, bashkë me familjen time. Kur isha i vogël ndiqja Tiranën në stadium. Pse mos të luaj në të ardhmen me Tiranën? Ka tifozë të mrekullueshëm dhe është një klub shumë shumë i madh, më pëlqen vërtet." /albeu.com/

Shtuar më 30/12/2018, ora 11:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori