Abazaj tregon ëndrrat: Pas Anderlechtit dua transferimin tek gjiganti europian
Me transferimin e tij drejt Anderlechtit, Abazaj është njeriu i ditëve të fundit në futboll, pasi një transferim i tillë i mungonte futbollit shqiptar. Në verë numri 7 i Luftëtarit do të festojë 22-vjetorin e lindjes në tokën belge në fazën përgatitore me klubin më të rëndësishëm, Anderlechtin. Një realitet tjetër të cilin vetë Kristali ende nuk beson se po e përjeton.

"Është diçka tjetër. Në fillim nuk më besohej se ku po shkoja. Kur bëra vizitat mjekësore e kuptova ku isha. Është një Real Madrid i dytë."

Skuadra e tij e re ka fituar dy Kupa të Kupave, një Kupë Uefa dhe një Superkupë Europe. Megjithatë Anderlechti nuk është një pikëmbërritje për Abazajn, i cili është rritur duke shijuar Kakanë te Milani dhe Cristiano Ronaldon te Reali i Madridit.

"Është një pikënisje, pasi do të jetë një trampolinë për të shkuar më tej. Jam tifoz i Milanit dhe i Realit të Madridit dhe në këto momente shoh që ndoshta mund të arrij te Milani."

Ëndrra më e madhe për Abazajn janë ngjyrat kuqezi, por ato të kombëtares, një ëndërr që duket shumë pranë realizimit.

"Ëndrra ime ka qenë Kombëtarja, jam grumbulluar, por kur të debutoj do të them që ëndrra është bërë realitet."

Për të arritur në majë duhet shumë punë, kjo është receta e Kristalit për të rinjtë që synojnë të ecin sa më lart në karrierë.

"Këshilla ime është të punojnë sa më shumë. Do t’u thonë një herë, dy herë që nuk bëjnë, por me besim mund të arrijnë gjithçka. Disa trajnerë nuk më kanë vlerësuar, por kjo më bëri më të fortë. Kam vuajtur për të arritur deri këtu, nuk e kam patur rrugën të shtruar."

Urimet për këtë transferim kanë qenë të shumta, por Sbazaj veçon njërin prej tyre.

"Urimi i Liçajt ishte më i veçanti, – “ia hodhe fukarallëkut”, – më tha. Si gjithmonë, Liçaj me komentet e tij pikante."

Anderlechti i përket të ardhmes, ndërsa e tashmja është Luftëtari, skuadër që lufton për të arritur Europën. Abazaj ulet me këmbë në tokë duke u përqendruar për një mbyllje sa më të mirë të sezonit.

"Këto 7 ndeshje janë finale, jam i përqendruar për të arritur Europën me Luftëtarin." përfundoi i emocionuar Abazaj. /albeu.com/
Shtuar më 18/04/2018, ora 16:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori