Abazaj tregon si ngjitet Pogradeci në Superiore
Fitoja e Pogradecit në Lushnjë, mund të duket si e çuditshme, por skuadra “liqenore” e ka bërë këtë edhe në periudha të ndryshme. Madje edhe kur ka qenë trajneri Abazaj në stolin e pogradecarëve, në sezonin 2013-2014, kanë qenë pogradecarët, ata të cilët kanë bërë “ligjin” në “Roza Haxhiu”, por edhe pak vite më vonë.

Abazaj thotë se këtë sezon ka ndërtuar një grup solid, me djem të rinj por duke u bazuar edhe te lojtarët me eksperiencë që kanë 7-8 sezone që luajnë bashkë dhe që e njohin mirë këtë kampionat. Në një prononcim për “Vipsport.al”, trajneri i Pogradecit, në lidhje me fitoren në Lushnje ka pohuar: “Unë në radhë të parë falënderoj djemtë që luajnë mirë futboll, sepse stërviten mirë dhe mbajnë regjim të mirë. Në Lushnjë, Pogradeci ka bërë mirë thuajse në çdo ndeshje për të qenë realist sa herë ka luajtur në Lushnjë”.

Akuzat

“Kurrë nuk jam marrë me akuzat, sepse ashtu siç akuzojnë lushnjarët skuadrën time, edhe para disa javësh kam dëgjuar që ekipe të tjera akuzojnë kur luan Lushnja! Nuk merrem kurrë, e bazoj forcën e ekipit vetëm te puna dhe kualiteti i djemve. Pastaj, në Lushnjë për fat ndeshja u dha në televizion dhe e ka parë e gjithë Shqipërisë se çfarë bëri Pogradeci në fushën e lojës me nivelin që tregoi. Madje, kemi pasur raste konkrete, dhe nuk kam parë që lojtarët e mi të bien kot në fushë”.

Synimet

Tashmë, Pogradeci është në një vend nderi, e madje duke u afruar shumë më kreun. Abazaj thotë se për momentin nuk mendojnë as për Superioren e as për kreun. “Të fitojmë në çdo ndeshje, të jemi në pozita të mira deri në dhjetor. Pastaj duke parë e duke bërë. Sa më lartë aq më mirë, sepse financat dhe mbështetja e Bashkisë së Pogradecit dhe kryebashkiakut të saj janë maksimale, ashtu si dhe kemi një infrastrukturë model, që pavarësisht klimës, ta ka ënda të luash në qytetin tonë. Pa harruar aneksin dhe moshat, ku Pogradeci është ndoshta në Shqipëri nga të vetmet ekipe që 90% të skuadrës e ka me djem nga Pogradeci”, – tha Ardjan Abazaj në fund të sfidës.
Shtuar më 03/11/2019, ora 17:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori