Abramovich fton Lampard te Chelsea: Nuk do shkarkohesh për 2 sezone
Frank Lampard është shumë pranë marrëveshjes me Chelsea, për të qenë trajneri i ri i kësaj skuadre. Lajmin e konfirmoi sot "Daily Mail", që shprehet se për të siguruar shërbimet e 40-vjeçarit ka qenë e nevojshme ndërhyrja e presidentit Roman Abramovich.

Presidenti rus ka kontaktuar vetë me Lampard, duke i garantuar se për dy sezonet në vijim (2019-2020 dhe 2020-2021) ai do të jetë trajneri i Chelsea dhe se nuk do të shkarkohet, pavarësisht rezultateve. Duket se kjo garanci ka bindur Lampard, të rikthehet te skuadra londineze si trajner, pas 13 sezonesh si lojtar.

Lampard është aktualisht trajneri i Derby County në Championship dhe dje u përfol se ishte pranë rinovimit të kontratës me këtë ekip. Kjo vuri në panik drejtuesit e Chelsea, pasi Lampard konsiderohej si kandidatura e vetme dhe e duhura për të zëvendësuar italianin Maurizio Sarri, që do të rikthehet në Serinë A pas një viti (do të drejtojë Juventus).

Për këtë arsye është kërkuar ndihma e Abramovich, që i ka dhënë garanci lojtarit për dy sezone të tregojë aftësitë e tij si trajner (ky afat mund të përkojë me dënimin 2-vjeçar që Chelsea mund të marrë për të mos kryer asnjë blerje në merkato). Ky transferim i Frank Lampard te Chelsea do t’i kushtojë klubit londinez 5 milionë stërlina, shumë e vendosur në klauzolën që trajneri ka me Derby County.
Shtuar më 16/06/2019, ora 14:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori