Agustin Kola: Skënderbe shijoje sfidën me Dinamon e Kievit, pasi unë nuk e pata fatin
Pëlqej
Ka qenë sezoni futbollistik 1982-1983, kur Tirana kishte marrë të drejtën për të luajtur në Kupën e Kupave dhe kishte pasur një ecuri të mirë. Madje, bardheblutë arritën që të eliminonin Lindfildin e Irlandës së Veriut. Ndeshja e parë në “Qemal Stafa” u fitua 1-0 me gol të Agustin Kolës, ndërsa ajo e kthimit në Belfast u mbyll në shifrat 2-1 për vendësit.

Me një gol në fushë kundërshtare, bardheblutë u kualifikuan dhe shorti i kishte vënë përballë Dinamos së Kievit, ekip i Ish-Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike. “Natyrisht që u gëzuam shumë në momentin që u kualifikuam dhe ishim përgatitur për një tjetër takim jashtë vendit”, kujton Agustin Kola në një prononcim për “Panorama Sport”.

Por, Tirana nuk luajti në atë përballje dhe ai tregon mërzitjen që kaploi të gjithë skuadrën në momentin kur u bë me dije se nuk do të luante në këtë ndeshje dhe normalisht Dinamo e Kievit fitoi në tavolinë.


“Ishim duke u kthyer nga Irlanda e Veriut me linjën e austriakut dhe po bënim transitin në Vjenë. Në ato momente na erdhi trajneri Enver Shehu dhe na dha lajmin se nuk do të luanim në ndeshje, për shkak se sistemi komunist i kishte prishur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. U mërzitëm shumë të gjithë, sepse na iku një udhëtim jashtë vendit, na u hoq mundësia për të blerë ndonjë shtesë, ndonjë çamçakëz më shumë. Kështu ishte koha atëherë dhe kur dilnim jashtë vendit këto gjëra shikonim”, ka thënë Kola.

SKËNDERBEU

Por, atë që Tirana nuk e bëri në atë kohë, do ta bëjë Skënderbeu tani. Korçarët do të luajnë ndaj ukrainasve të Dinamos së Kievit. “Fillimisht dua të them se kualifikimi i Skënderbeut i ka bërë krenarë të gjithë shqiptarët. E kam ndjekur atë ndeshje dhe korçarët e merituan kualifikimin. Duhen përgëzuar për një gjë të tillë, pavarësisht rivalitetit që kanë ekipet brenda vendit me Skënderbeun”, tha Kola, i cili flet edhe për vështirësinë e grupit ku gjenden korçarët.

“Duhet krijuar një atmosferë e qetë në prag të ndeshjeve që Skënderbeu do të luajë, sidomos ndaj Partizanit të Beogradit. Futbolli duhet t’i bashkojë njerëzit. Sa për grupin është pak i vështirë, pasi bëhet fjalë për ekipe shumë të forta, si Dinamo e Kievit, ashtu edhe Partizani i Beogradit, e Jang Bojs. Por, në futboll asnjëherë nuk dihet dhe korçarët e kanë eksperiencën për të bërë gjithçka mirë”, ka mbyllur Kola. /Panorama/
Shtuar më 28/08/2017, ora 17:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori