Ahmataj: Kualifikimin e sigurojmë në Tiranë
Trajneri i Luftëtarit, Julian Ahmataj, ka komentuar barazimin pa gola të marrë në Kupën e Shqipërisë kundër Tiranës.

"E dinim që nuk do ta siguronim kualifikimin në ndeshjen e parë. I bëj komplimentet Tiranës dhe Memës, do të kërkojmë të sigurojmë finalen në ndeshjen e kthimit. Penalltia? Nuk i komentoj vendimet e arbitrave", ka thënë Ahmataj për Supersport.

"Mungesa e Dungës? Çdo mungesë ndihet. Ne kemi kërkuar të modifikojmë skemën, por mungesa e Dungës ndihet shumë në ekip, sepse bën shumë mirë punën që i takon. Kur kthehet? E dinë mjekët, por besoj se do të jetë gati për kampionatin".

"Të varur nga Dunga? Kjo ishte ndeshja e dytë që nuk kemi shënuar. Shpërndarja e golave ka qenë shumë e mirë në skuadër. Nuk kemi varësi, por një lojtar që ka fituar besimin pas një mungese të gjatë, rrit cilësinë e ekipit në sulm".

"Çfarë kemi ne më shumë se Tirana në kampionat? Nuk e kam menduar kurrë se kemi diçka më tepër se Tirana apo Kastrioti. Detyra jonë është të marrim maksimumin nga vetja dhe të bëjmë kujdes në çdo moment, sepse futbolli të ndëshkon në çdo moment. Ne kemi shumë ekuilibër, siç duket nga vështirësia që kanë ekipet kundërshtare të na shënojnë".

"Ndryshimet mes Kamzës dhe Luftëtarit? Vitin e kaluar isha një trajner i ri dhe kjo ka ndikuar edhe te lojtarët. Atje na shërbyen rezultatet e para dhe më pas futbollistët filluan të besonin tek unë. Te Luftëtari kam gjetur një ekip më inteligjente", ka përfunduar Ahmataj. /albeu.com/


Shtuar më 24/04/2019, ora 18:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori