Ajax-i kërkon të kthejë në formë huazimi De Ligt
Ajaxi është duke e shqyrtuar mundësinë t’i bëjë ofertë zyrtare Juventusit për ta kthyer qendërmbrojtësin Matthijs de Ligt në Holandë në formë huazimi, pasi gjashtë muajt e parë të tij në Juventusi s’ishin aq të suksesshme sa ishte pritur.

Mbrojtësi Matthijs de Ligt ishte kërkuar nga të gjitha klubet më të mëdha të Evropës gjatë verës së kaluar, mirëpo ai vendosi në fund që të kalojë në Juventus për 75 milionë euro.

Por, pasi që është lënë në stol në ndeshjet e fundit dhe shkaku i spekulimeve për të ardhmen e tij, A Bola raporton se Ajaxi është gati ta kërkojë kthimin e tij në formë huazimi qysh këtë muaj, nëse Juventusi pajtohet për një transferim të tillë.

Ajaxi thuhet se është duke mbikëqyrur nga afër situatën e De Ligtit në Juventus, ku është nën drejtimin e strategut italian Maurizio Sarri.

Pasi e zhvendosi shpatullën – para se ta vazhdonte prapëseprapë ndeshjen – kundër Atalantas, De Ligti u la në stol për ndeshjet e radhës dhe u zëvendësua në vijën e mbrojtjes nga Merih Demirali.

Demirali ka qenë mbresëlënës në detyrën e tij dhe e ka fituar vendin në formacionin e parë të Sarrit, duke shtuar kështu dyshimet për të ardhmen e De Ligtin te kampioni në fuqi i Serisë A.

Një lëndim afatgjatë i Giorgio Chiellini e kishte detyruar Sarrin t’ia besonte një vend në formacion të parë De Ligtit. Deri më tani, holandezi e ka mbajtur portën e paprekur në katër nga 13 ndeshjet e tij.
Shtuar më 09/01/2020, ora 12:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori