Alisson dëshmon reflekse të rralla, pret goditjen e Van Dijk pa shikuar (VIDEO)


Gjatë përgatitjeve për ndeshjen e mbrëmshme kundër Huddersfieldit, Alisson Becker i dëshmoi reflekset e tij të jashtëzakonshme.

Përderisa gjatë ndeshjes Liverpool – Huddersfield, e cila përfundoi me rezultat 5:0 për vendasit, portieri Alisson nuk pati shumë punë për të bërë, ai e dëshmoi aftësinë e tij gjatë nxehjeve.

Qendërmbrojtësi Virgil van Dijk tentoi ta shfrytëzojë rastin që Alissoni ia kishte kthyer shpinën për të shënuar një gol, para fillimit të ndeshjes. Holandezi e gjuajti mjaft mirë topin drejt portës së Alissonit, i cili nuk ishte në vijën e portës dhe ishte me kokë prapa.

Edhe pse në videon e publikuar nga faqja zyrtare e Liverpoolit duket se goditja e Van Dijkut do ta prekë rrjetën e brendshme të portës, Alissoni arriti që ta devijojë atë mbi portë në momentet e fundit.

Kjo ishte pritja e vetë e vërtetë që Alissoni u detyrua ta bëjë mbrëmë, pasi që Huddersfield, që sezonin e ardhshëm do të luajë në Championship, nivelin e dytë të futbollit në Angli, nuk e rrezikoi asnjëherë seriozisht portierin brazilian.

Naby Keita e shënoi golin e parë të ndeshjes pas vetëm 15 sekondash dhe Sadio Mane e Mohamed Salahu arritën t’i shënojnë nga dy gola.

Skuadra e Jurgen Kloppit do të kthehet në aksion të mërkurën, kur e vazhdojnë rrugëtimin në Ligën e Kampionëve. Këtë herë, ata do të përballen me Barcelonën në ndeshjen e parë gjysmëfinale. /albeu.com/
Shtuar më 27/04/2019, ora 23:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori