Aliti: Nuk u mendova dy herë për tu bashkuar me Skënderbeun
Pëlqej
Fidan Aliti debutoi me Skënderbeut në miqësoren ndaj Pogradecit. Pas ndeshjes Aliti ka dha konferencën e parë zyrtare. Ai është shprehur i kënaqur që është pjesë e një ekipi të madh, siç është Skënderbeu dhe se falë Skënderbeut kërkon të rifitojë vendin e tij në Kombëtare.

Aliti, kush ju bindi që të vinit te Skënderbeu?

Ka qenë një mundësi e mirë që më është ofruar nga menaxheri im. Ai më ka hapur këtë derë te Skënderbeu dhe të them të drejtën menjëherë jam tunduar, pasi bëhet fjalë për një ekip mjaft cilësor. Kam qenë shumë i kënaqur që në momentin e parë, kur më është thënë si mundësi. Ndaj nuk kam pasur nevojë të mendohem dy herë për të ardhur këtu. Dhe ja ku jam tani te Skënderbeu.

Sa e njihni Skënderbeun?

Normal që kam parë ndeshjet që ka luajtur Skënderbeu, sidomos në Kupat e Europës. Është një ekip shumë i njohur në Shqipëri, ekipi më i mirë shqiptar.

Sigurisht që e kam njohur më parë këtë ekip, pasi kam edhe shumë miq këtu që më kanë folur për këtë klub. Si të mos e njohësh këtë ekip, që vjen për herë të dytë në Europa Ligë në fazën e grupeve. Kjo më bën të mendoj se kam zgjedhur ekipin më të mirë shqiptar dhe për këtë jam krenar.

Cila ka qenë karriera juaj deri më tani?

Kam luajtur në Luzern, në Zvicër, dhe më pas jam transferuar në Moldavi te Sherif Tiraspoli. Së fundi, kam luajtur në Kroaci te Slaven Belupo, ndërsa tani kam nënshkruar për tri vite te Skënderbeu. Kam debutuar para tri vitesh me Kombëtaren e Shqipërisë, me të cilën kam luajtur dy ndeshje. Më pas kam menduar të luaj për Kosovën.

Tani nuk jam grumbulluar për këtë takim, por shpresoj që me anë të Skënderbeut të rifitoj vendin në përfaqësuesen e Kosovës. Do të bëj maksimumin për të dhënë më të mirën me Skënderbeun. Nëse e bëj këtë, jam i bindur që do të jem sërish në Kombëtare.

E dini që konkurrenca këtu është shumë e madhe?

Normal, si çdo ekip tjetër i madh, edhe Skënderbeu ka lojtarë shumë të mirë dhe konkurrenca është e lartë. Por mua më bën mirë konkurrenca, më rrit më shumë dhe më bën më të fortë. Unë do të mundohem të jap më të mirën time në çdo seancë stërvitore, të tregoj maksimumin dhe më pas është trajneri ai që zgjedh.

Si ju është dukur ekipi në miqësoren ndaj Pogradecit, ku debutuat?

Ishte thjesht një test miqësor, por sërish ekipi tregoi që është mjaft cilësor. Më kanë ndihmuar shumë, pasi ishte prezantimi im i parë me ta dhe ma kanë bërë shumë më të lehtë. Në pamje të parë duket që kam ardhur në një ekip të madh. /albeu.com/
Shtuar më 03/09/2017, ora 17:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori