Allegri: Do t'a eliminojmë Fiorentinën
Massimiliano Allegri është i bindur se Juventusi mund ta eliminojë Fiorentinën në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Italisë që do të zhvillohet në "Artemio Franchi" të Firences.

Në sfidën e parë në "Juventus Stadium", formacioni i Montellas triumfoi 2-1. Sipas Allegrit, Fiorentina mbetet favorite, por me pak zgjuarsi bardhezinjtë mund ta përmbysin rezultatin.

"Shkojmë në Firence për të përmbysur rezultatin e ndeshjes së parë. Nuk do të jetë aspak e lehtë, duhet të jemi të zgjuar dhe shumë të kujdesshëm në lojën tonë. Favorite për t'u kualifikuar është Fiorentina, sepse ka fituar në fushën tonë dhe po kalon një moment shumë të mirë. Na duhet një fitore me dy gola diferencë, por në mbi të gjithë nuk duhet të na kapë ankthi."

Në kampin bardhezi vazhdon të jetë shqetësuese gjendja fizike e Andrea Pirlos, kontributi i të cilit ndaj Monacos në Champions mbetet në dyshim.

"Gjendjen e Pirlos do ta vlerësoj kur të bëhet pjesë e grupit, e rëndësishme është që të jetë në dispozicion për cerekfinalen e parë të Championsit. Pastaj nëse do të jetë ose jo në 100% të formës, kjo mbetet për t'u vlerësuar. Andrea edhe nëse nuk është formën më të mirë fizike, ka aftësitë teknike për të luajtur në ndeshjet e mëdha."

Për sa i përket lojtarëve që do të zbresin në fushë Allegri, siguroi se do të aktivizojë lojtarët më të mirë. Detaji i vetëm që zbuloi trajneri livornez është aktivizimi Storarit në vend të Buffon.
Shtuar më 06/04/2015, ora 14:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori