Allegri: Jemi të ngadaltë, Vidal qëndron
Pëlqej
Pas ndeshjes kundër Sassuolos në Trofeun Tim, trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, nuk është ndalur te puna e skuadrës, e cila u pa disi në vështirësi kundër ish-ekipit të tij Milanit.


"Gjendja fizike është e mirë, por fakti që në turneun aziatik kemi akumuluar një lodhje të shumtë muskulore, si rrjedhojë e punës së madhe, u ndje jo pak. Gjithsesi, skuadra ka kohë që bën gjëra të mira, edhe pse kemi ende shumë për të punuar, çka u pa qartësisht në fushën e lojës. Këmbët janë të rënda dhe na mungon shpejtësia në veprim. Por kam besim se në ditët e ardhshme do të punojmë mbi këtë aspekt dhe do të jemi gati për debutimin me Chievon", tha tekniku livornez.

Për sa i përket debutimit të Arturo Vidal dhe çështjeve të mundshme që lidhen me merkaton për kilianin dhe pjesën tjetër të skuadrës, trajneri i kampionëve të Italisë saktësoi.

"Për Vidalin ato kundër Milanit ishin 45 minutat e para sivjet, prandaj forma e tij do të vijë në përmirësim e sipër. Ndërsa për sa i përket të ardhmes së tij, këtë e kemi theksuar tashmë, ai nuk lëviz që këtu. Kurse mbi përforcimet e mundshme që mund të bëjmë, unë dhe drejtuesit e klubit jemi në sintoni të plotë. Së bashku kemi hartuar disa emra të veçantë, prandaj nëse do të ekzistojë mundësia që të bëjmë një goditje tjetër, do jem i lumtur për ta mirëpritur. Nëse jo, unë e di që kam në dispozicion skuadrën më të mirë të Italisë, prandaj të gjithë së bashku do mundohemi të shkrijmë edhe risitë teknike e taktike për të synuar titullin e katërt radhazi dhe një udhëtim emocionues dhe pozitiv në Champions League", përfundoi Massimiliano Allegri. /albeu.com/



Shtuar më 24/08/2014, ora 10:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori