Allegri me dhimbje koke, udhëton me "gjysëm" ekipi
Kemi lënë pesë pikë rrugës, në tri trans ferta kemi pësuar pesë gola, prandaj në Udine kemi dy objektiva: i pari, të mos pësojmë dhe i dyti, të dalim me tri pikë. Jemi të dënuar të fitojmë tani e në vazhdim”. Masimiliano Alegri nuk ka ndër mend që të fshihet mes fjalëve, sepse faktet flasin vetë, por sikur të mos mjaftonte kjo, atij i duhet të merret edhe me një problem shumë të madh, siç janë dëmtimet. Sikur të mos mjaftonin lojtarë si De Shiljo, Hëvedes, Markizio, Pjaca e Benatia, dje, në stërvitjen e fundit, janë ndalur edhe Matuidi dhe Sturaro.

Që të dy mesfushorët kanë hasur një lodhje muskulore, prandaj transferta me Udinezen bëhet një malore e vështirë. Kjo për faktin se ai do të udhëtojë me vetëm 19 lojtarë, prej të cilëve tre do të jenë portierë. “Për ndeshjen me Udinezen kam vetëm 16 lojtarë loje, plus 3 portierë dhe më keq se kaq nuk mund ta pësonim. Markizio do të grumbullohet për numër, por nuk do të luajë, ndërsa Matuidi dhe Sturaro nuk do të udhëtojnë me ne, ashtu sikurse të dëmtuarit e tjerë, raporton Panorama.

Gjithsesi, fakt është që renditja nuk na buzëqesh sepse kemi lënë pesë pikë rrugës, prandaj edhe pse në vështirësi, ne jemi të dënuar të fitojmë. Shpresojmë që pauza e ardhshme e kombëtareve, përpara së cilës do të ndeshemi me Sportingun në Lisbonë dhe më pas me Beneventon në kampionat, të na sjellë më shumë fat këtë herë”.

Prandaj duke parë të gjitha këto telashe, Alegri e thotë hapur: “Ndaj Udinezes nuk më intereson estetika e lojës. Më mjafton edhe një fitore e shëmtuar, sepse pikët tashmë nisin të bëhen të rëndësishme. Sivjet kemi shënuar më shumë gola se në kampionatin e kaluar, por nga ana tjetër, kemi pësuar shumë më shumë, prandaj duhet të bëjmë kujdes dhe të punojmë fort mbi këtë defekt.

Përballë na pret një skuadër që nuk po kalon një ‘ moment të mirë dhe kjo i detyron që të jenë shumë agresivë ndaj nesh, pasi Udinezja ka nevojë të madhe për pikë. Pres një ndeshje shumë fizike dhe ne duhet të jemi të përgatitur për këtë, sepse nuk do të jetë aspak e lehtë. Dibala në presion?

Paulo mund të ketë disa probleme që nuk kanë lidhje me fushën e lojës dhe normalisht që ato mund të ndikojnë, por ai është një lojtar me karakter të fortë dhe do të dijë ta kalojë edhe këtë. Për këtë arsye, ai do të jetë titullar ndaj Udinezes dhe pres një reagim të fortë prej tij”.
Shtuar më 22/10/2017, ora 10:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori