Allegri shpreson që Juve t'a nisë këtë vit me fitore
"Nuk kemi më kohë për të gabuar. Sa më shumë kalojnë javët aq më tepër afrohen edhe objektivat që kemi, titulli, Liga e Kampionëve dhe Kupa e Italisë", ka theksuar Allegri para ndeshjes së juventusit me Interin.

Për të rritur vigjilencën për ndeshjen e parë të vitit, Allegri sjell në vëmendje edhe rezultatet surprizë të Realit të Madridit dhe Barcelonës.

"Skuadra është e motivuar, na pret derbi i Italisë, kundër një skuadre që ka bërë progres kohët e fundit. Interi ka rigjetur vetëvlerësimin dhe mbi të gjitha është i rrezikshëm. Mjafton të shohësh rezultatet e Realit dhe Barcelonës për të kuptuar se ndeshja e parë e vitit është gjithmonë e vështirë, është si e para e kampionatit. Nuk është një çështje fizike por mentaliteti. Në derbi fiton skuadra që tregon më shumë përqendrim", ka shtuar Allegri.

Allegri deklaroi se mungesa e rinovimit të Tevezit nuk është një problem pasi argjentinasi ka ende një vit e gjysmë kontratë dhe do të sillet si një profesionist deri në fund, ndërsa rezervoi vetëm lëvdata për objektivin e madh të këtij afati dimëror, Wesly Sneijder.

"Sneijder, para se gjithash të vijë një herë, nëse vjen. Është ende një lojtar i Galatasarayt. Ka aftësi të mëdha teknike dhe te ne do të kompletonte një repart të fortë. Skuadra mund të mbajë më shumë lojtarë me tipare sulmuese", ka nënvizuar Allegri.
Shtuar më 05/01/2015, ora 15:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori