Alonso: Nuk ka përçarje te Reali
Real Madrid mbetet i bashkuar dhe në dhomat e zhveshjes ligjin nuk e bëjnë fraksionet. Për këtë del garant mesfushori spanjoll, Xabi Alonso, i cili po vuan nga një dëmtim në legen çka po kufizon edhe paraqitjet e tij në pjesën e dytë të sezonit.

"Ambjenti nuk është i përçarë. Asgjë nuk është e vërtetë nga ato që lexoj në media sepse kemi qenë përherë një skuadër dhe e tillë duhet të jemi sepse futbolli është një lojë skuadre. Mourinho dhe Casillas? Kanë një marrëdhënie të mirë trajner-lojtar", deklaroi Alonso.

Është tekniku portugez ai mbetet pika e referimit për mesfushorin e skuadrës mbretërore.

"Mourinho është një trajner inteligjent që ka jetuar përherë i shoqëruar nga kritikat. Kur rezultatet janë pozitive gjithçka duket më e bukur, por në të kundërt të gjithë e sulmojnë dhe nxjerrin në sipërfaqe problemet. Është e vërtetë që këtë sezon nuk jemi veçanërisht të lumtur sepse kemi humbur më shumë ndeshje se zakonisht. Gjithsesi, si trajner Mourinho është një nga më të mirët në botë dhe mua personalisht më ka ndihmuar të rritem shumë", shprehet mesfushori.

Një fanelë si ajo e Realit është shumë e rëndë dhe shpesh herë ndikon për keq te lojtarët duke i ngarkuar me presion por ky nuk është rasti i Alonsos.

"Në këtë aspekt nuk kam pasur asnjëherë probleme. Gjithçka e përjetoj shumë normalisht dhe përpiqem të mos aktroj në fushën e lojës sepse nuk bën pjesë në tipin tim. Por, shpesh herë, tifozët kundërshtarë përpiqen të të ofendojnë dhe lëndojnë me çdo mjet", ka thënë mesfushori spanjoll.

Në vijim të intervistës dhënë për revistën "Vanity Fair", mesfushori iberik flet më shumë për jetën e tij.

"Të shënosh gol apo të rrisësh një fëmijë? Të dyja janë shumë të vështira sepse femijët duhen rritur të lumtur. Përpiqem të jem një baba i mirë pa u vendosur shumë rregulla strikte fëmijëve. Duhet të falënderoj gjithashtu edhe bashkëshorten sepse është ajo që ka kaluar më shumë kohë me ta", ka vijuar Alonso.

Alonso e dashuron këtë fanelë, por ai nuk e vë dorën në zjarr kur gazetarja e pyet se çfarë i ofron e ardhmja.

"Nuk e përjashtoj mundësinë që një ditë të zbres në fushë si trajner, por për këtë duhet të përgatitem shumë. Nga ana tjetër më pëlqen shumë edhe bota e teknologjisë, të punoj me kompjuterat ose në sektorët e zhvillimit të teknologjisë", përfundoi Xabi Alonso. /albeu.com/
Shtuar më 21/02/2013, ora 16:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori