Altin Lala: Ja shanset tona në Evropian
Pëlqej
Albeu.com
Altin Lala, shkatërruesi i mesfushës kuqezi, është prononcuar ditën e djeshme lidhur me shortin e eliminatoreve të kampionatit evropian, EURO 2008, specifikisht për grupin e Shqipërisë.Lojtari që luan në Bundesligën gjermane, ka bërë një skaner të grupit tonë, duke konkluduar në objektivat ‘virtuale’ që duhet të ketë formacioni i Brigelit në sfidën e re, e cila nis në 2 shtator.

Përshëndetje Altin, kanë kaluar tashmë disa ditë pas hedhjes së shortit për eliminatoret e EURO 2008, një mendim të përgjithshëm për grupin e Shqipërisë?
Në terma të ngushtë, ‘i vështirë’. Shqipëria mbetet një skuadër pas favoritëve të mëdha të grupit. Në fakt, situata nuk është kaq e thjeshtë sa duket në pamje të parë.

Në çfarë kuptimi?
Skuadrat nuk duhen renditur thjesht mbi bazën e klasifikimeve të mëparshme. Për të bërë një analizë, duhen parë edhe kushtet momentale të grupit, cila do të jetë ndeshja e parë që do të zhvillohet, ose e parë në përgjithësi, si do të jetë axhenda e ndeshjeve. Pastaj, me formatin e ri të kualifikimit vetëm të dy skuadrave, gjërat ndryshojnë. Kjo nuk vlen vetëm për Shqipërinë, por edhe për rivalet e saj, të cilat sigurisht kanë edhe ato problemet e tyre.

Cilat janë favoritët e grupit?
Holanda sigurisht! Por unë do të vija theksin tek Rumania dhe Bullgaria, dy skuadra këto shumë të vështira për t’iu marrë fitoren, qoftë edhe në “Qemal Stafa”. Por nuk besoj se mund të bëhen parashikime ekzakte. Këtu tek Hanoveri unë kam lojtarë të përfaqësueses bullgare, të cilët më thonë se edhe Kombëtarja e tyre ka shumë probleme. Ata janë ende të rinj, një grup jo i unifikuar dhe mbrojtja ka ende shumë punë për të bërë. Kjo më bën të mendoj se nuk jemi të vetëm me problemet. Gjithsesi, asgjë nuk duhet kapitalizuar nëse do të duam të kemi një ecuri sa më të mirë.

Si i shihni përballjet me Bjellorusinë dhe Slloveninë?
Sllovenia është një skuadër e fortë, e cila ka marrë pjesë në dy edicionet e fundit të futbollit ndërkombëtar, botërorin dhe evropianin e fundit, një tregues që të bën të mendohesh shumë. Ndaj tyre duhet treguar kujdes i madh gjatë lojës, sidomos në “Qemal Stafa”. Edhe Bjellorusia nuk duhet nënvlerësuar nga skuadra. Në eliminatoret e fundit, ata kanë ditur t’u hapin probleme skuadrave të mëdha. Unë jam i mendimit se çdo ndeshje duhet trajtuar me vëmendjen më të madhe në mënyrë të veçantë dhe bazuar mbi këtë, nuk do të ketë asnjë ndeshje të lehtë, qoftë edhe me Luksemburgun, që për ironi të fatit kemi marrë barazim në një miqësore.

Ju thatë se arritjet e Shqipërisë do të varen nga shumë faktorë, një prej të cilave edhe radha e ndeshjeve. Cilën skuadër do të deshët në “Qemal Stafa” në ndeshjen e parë në Tiranë?
Eh, nuk më vjen në mendje ndonjë skuadër specifike për momentin, por them se do të ishte më e mira një ndaj së cilës do të mund të fitonim me lehtësi. Në “Qemal Stafa”, tifozeria është e mrekullueshme dhe një fitore në ndeshjen e parë në “Qemal Stafa”, do të ishte një start i mirë për ne.

Së fundi, parashikimi juaj! Ku e shihni Kombëtaren kuqezi në fund të eliminatoreve të EURO 2008?
Vështirë të bësh parashikime të tilla. Unë jam i mendimit që ne të jemi menjëherë pas skuadrave favorite, në mënyrë të tillë që të pretendojmë për më shumë. Pikët janë të vështira, duke veçuar Luksemburgun, ndaj të cilit ka shumë gjasa që të marrim gjashtë pikët. Të tjerat mbeten të hapura. Gjithsesi, unë mbetem tek qëndrimi im, se ne duhet ta kemi vendin pas favoriteve.

NDESHKIMI
“Kartoni, faji edhe imi”. “Kartoni i parë ishte i gabuar, pasi Arne Fridrih realizoi një simulim të pastër, ndërkohë që i dyti ishte një gabim imi. Temperamenti im më bëri që të reagoj në atë mënyrë, ndonëse lojtari më provokonte. Unë nuk duhet t’i isha përgjigjur reagimeve të tij”. Lala përbën një rast të veçantë për DFB. Ai kishte dhënë një shpullë Fridrih pa dalë nga fusha, pasi arbitri i kishte atribuuar kartonin e dytë të verdhë. Tashmë pretendohet për një karton të dytë të kuq.

EURO '08
Bullgaria
Kapiteni i Hanoverit ka dhënë një lajm shpresëdhënës, të paktën për momentin, për të gjithë tifozët e Shqipërisë. “Unë kam në skuadër lojtarë të përfaqësueses së Bullgarisë dhe ata më kanë thënë se kanë ende shumë probleme, ndër më të mprehtat, ato me mbrojtjen”.

BUNDESLIGA
Dënimi
DFB ka vendosur të dënojë me tre ndeshje kapitenin e Hanoverit pas kartonit të kuq që ai kishte marrë ditën e dielë në takimin ndaj Hertës së Berlinit. Fillimisht ishte menduar se ai mund të dënohej edhe më rëndë për shkak të reagimit të tij të ashpër ndaj mbrojtësit berlinez, Andre Fridrnga ih.

nga Henrik Vasili, Gazeta Shqiptare
Shtuar më 01/02/2006, ora 10:23
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori