Alves një hap larg City-t
Ditët e fundit thashethemet për një transferim të mundshëm të Dani Alves në drejtim të skuadrës së milionave, Manchester City, janë shtuar së tepërmi. Sheikët e skuadrës angleze janë të gatshëm të shpenzojnë shumë për t’i vënë nën urdhrat e teknikut Mançini lojtarët më të mirë në botë dhe duket se Alves është njëri prej tyre.

Sezonin e ardhshëm, synimet e skuadrës së Manchester City janë të ndërtojnë një skuadër sa më kompetitive dhe, për këtë arsye, janë duke punuar shumë në merkaton e verës për të bërë pjesë të tyre shumë futbollistë cilësorë. Tashmë oferta nga drejtuesit anglezë është bërë dhe do të mbetet në duart e homologëve të tyre katalanas për të vendosur për të ardhmen e mbrojtësit sezonin e ardhshëm.

Ndërkaq, Alves ka deklaruar se ndihet shumë mirë te skuadra e Barcelonës dhe nuk e sheh vetën larg saj.

"Personalisht jam i lumtur për gjithçka kam arritur të fitoj me Barcelonën dhe dëshira ime është që të vazhdoj të kontribuoj për këtë skuadër, gjithmonë nëse më rrisin pagën. Megjithatë, janë drejtuesit e skuadrës ata që do të vendosin nëse do të më mbajnë në ekip, apo jo", u shpreh Alves, i cili katër vite më parë u largua nga Sevilja për t’u bërë pjesë e skuadrës së Barcelonës, me të cilën ka arritur të fitojë çdo trofe të mundshëm në karrierën e tij. Alvesh me Barcelonën është cilësuar si një nga mbrojtësit më të mirë në botë, duke arritur të zërë edhe një vend në Kombëtaren braziliane të futbollit. /albeu.com/
Shtuar më 12/06/2012, ora 15:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori