Amerika e Jugut dhe ëndrra "Brazil 2014"
Në Amerikën e Jugut eleminatoret kanë kaluar gjysmën e rrugës dhe Argjentina mund të fluturojë përfundimisht kundër një Kili që pas një nisje të mirë tashmë e shikon veten në një krizë të errët. Nëse Sabella ka gjetur formulën e duhur për ti marrë maksimumin një Messi të papërmbajtshëm të këtyre kohëve, trajneri i Kilit Borghi duhet të bëjë llogaritë me skualifikimin e Arturo Vidal dhe me një Alexis Sanchez disi të bllokuar dhe në vështirësi.


Borghi, një argjentinas, po kontestohet fuqishëm nga shtypi dhe tifozët vendas në Santiago që thellë thellë ëndërrojnë një rikthim të Marcelo Bielsës duke parë mërdhëniet jo më aq të mira të kohëve të fundit të teknikut argjentinas me Athletic Bilbao.

Moment i vështirë edhe për Uruguajin që pësoi ciklonin argjentinas vetëm pak ditë më parë dhe tani duhet të përballet me transfertën e vështirë të La Paz që për më tepër do të kryhet pa të skualifikuarit Lugano, Godin dhe Caceres.

Ekuadori i dyti në renditjen e përgjithshëm kërkon fitoren e parë ose të paktën pikën e parë në transfertën e Venezuelës, nuk do të jetë në dispozicion Felipe Caicedo atutor i një dygolëshi në ndeshjen e fundit por do të rikthehet Valencia.

Paraguaj–Peru do të mbyllë panoramën e eleminatoreve të Amerikës së Jugut për këtë tur me dy skuadrat që pothuajse i kanë thënë lamtumirë ëndërrës së Botërorit "Brazil 2014". /albeu.com/
Shtuar më 16/10/2012, ora 15:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori