Anceloti: Mua më ndaluan duhanin, gruas i bënë qejfin
Pëlqej
Në prag të duelit të parë për Kupën e Gjermanisë, tekniku italian, Karlo Ançeloti, ka folur mbi skuadrën bavareze dhe kundërshtarët e Shemnicerit.

Zoti Ançeloti, si e shihni kundërshtarin në prag të kësaj sfide?

Gjatë vitit të kaluar përballë Jenës ia kemi dalë mbanë mjaft mirë. Shpresoj që të bëjmë të njëjtën gjë edhe në ndeshjen e sotme. Duhet të jemi sa më të përqendruar, pasi ndeshja ndaj Shemnicerit është mjaft e rëndësishme edhe nga aspekti psikologjik. Nuk mendoj se do të jetë një problem për ne, do mundohem të aktivizoj formacionin më të mirë.

A është në një formë të mirë skuadra bavareze?

Jemi stërvitur gjatë të gjithë kësaj jave dhe mendoj se çdo gjë ka shkuar sipas planit. Lojtarët janë stërvitur edhe në rërë për të përmirësuar sa më shumë formën fizike, duke kujtuar këtu lodhjen e pësuar gjatë fazës përgatitore. Mendoj se gjithçka po shkon ashtu sikurse duhej. Fitorja ndaj Dortmundit na ka dhënë edhe më shumë besim në vetvete, gjë e cila është mjaft e rëndësishme për startin e mbarë të sezonit të ri, përcjell Panorama.

Si po shkon përgatitja e të dëmtuarve?

Arjen Roben dhe David Alaba janë në një formë mjaft të mirë dhe mendoj t’i aktivizoj në ndeshjen e sotme, ndoshta jo që prej fillimit, por mbase në pjesën e dytë do të jenë në fushë. Lojtarët e tjerë, të cilët kanë mbetur të dëmtuar, i janë rikthyer stërvitjes individuale për t’u rikthyer sa më shpejt të jetë e mundur.

Sa i përket numrit një të portës, Manuel Nojer, jam tejet i surprizuar, pasi është në një gjendje tepër të mirë dhe po jep shenja pozitive për një rikthim shumë të shpejtë. Do shohim si do të shkojë situata gjatë ditëve në vazhdim për të menduar nëse do aktivizohet ndaj Leverkusenit apo jo.

Si i shihni kritikat e bëra nga Efenberg dhe Haman?

Nuk mund të them asgjë. Kritikat nga jashtë klubit nuk më prekin aspak. Nuk mund t’u them dy legjendave se po gabojnë, por për mua është e rëndësishme të kem suportin e skuadrës sime dhe deri më tani e kam pasur gjatë të gjithë kohës dhe për këtë jam i lumtur që jam trajneri i një skuadre, e cila funksionon si një e vetme.

Salihamixhiç ju ka ndaluar duhanpirjen në kabinat e “Sabener Shtrase”-s, si e keni pritur diçka të tillë?

Kjo është diçka tejet pozitive për shëndetin tim. Bashkëshortja ime ndihet shumë më mirë tanimë me këtë rregull. Hasan Salihamixhiç ka ardhur në Mynih plot energji dhe na ndihmon gjithnjë për të qenë sa më të motivuar dhe sa më të përgatitur për çdo rast. Është një person tepër pozitiv dhe i gatshëm të japë gjithçka për ta parë skuadrën në gjendjen e saj më të mirë.

Ç’mund të na thoni për Ousman Dembelenë?

Dembele është një lojtar i shkëlqyer dhe mendoj se do t’i shërbente mjaft skuadrës së Dortmundit, megjithatë verdhezinjtë janë një skuadër tepër e rrezikshme si me Dembelenë, ashtu edhe pa të.

Si e shihni transfertën prej 222 milionë eurosh të Nejmar?

Është një vlerë e çmendur. Ky është futbolli i kohëve të fundit dhe tendencat e tij.
Shtuar më 12/08/2017, ora 14:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori