Ancelotti: Cristiano nuk luan ndaj Sociedad
Pëlqej
Cristiano Ronaldo nuk do të jetë i gatshëm për Real Madrid në sfidën e kësaj të diele që "Los Blancos" do të luajnë në transfertë përballë Real Sociedad. Ishte vetë trajneri Carlo Ancelotti ai që konfirmoi mungesën e yllit luzitan.

"Cristiano në përgjithësi është mirë. Megjithatë preferuam të mos e rrezikojmë në ndeshjen me Sociedadin pasi duam që ai të ketë arritur gjendjen optimale pas dy javësh kur të ndeshemi me Atleticon si dhe të jetë në formë për sfidën e parë në Champions League", tha Ancelotti.

Në vijim të konferencës për shtyp trajneri italian u përqëndrua te largimi i Xabi Alonsos që edhe për Ancelottin personalisht ishte një surprizë jo edhe shumë e këndshme.

"Largimi i tij ishte një surprizë për të gjithë ne. Ishte shumë e vështirë ta bëje atë të ndërronte mendje. Alonso ishte mëse i qartë me ne teksa na bëri të ditur se kërkonte një sfidë të re dhe për këtë arsye vendosi të largohej nga Reali. Sezonin e kaluar ai ishte një lojtar shumë i rëndësishëm për ne dhe pati një meritë të veçantë që skuadra arriti të fitonte dy trofe. Është e vërtetë që humbëm një lojtar shumë cilësor por unë nuk shqetësohem edhe aq shumë pasi në pozicionin ku luan Alonso jemi të mbuluar shumë mirë", vijoi tekniku italian i "Los Blancos".

Përsa i përket takimit me Real Sociedad, tekniku 55-vjeçar tha se ekipi i tij është i motivuar për të marrë një rezultat pozitiv në San Sebastian.

"Jemi përgatitur për ta përballuar në mënyrën më të mirë këtë sfidë. Jemi të motivuar dhe dëshirojmë të arrimë fitoren e parë jashtë fushës tonë. E dimë shumë mirë që në Anoeta na pret një transfertë e vështirë,megjithatë ne do të japim maksimumin pasi duam të marrim tre pikët si dhe të rrisim nivelin e lojës tonë", përfundoi Ancelotti. /albeu.com/

Për të zëvendësuar Ronaldon, Ancelotti u shpreh se ka në mendje dy alternativa Iscon dhe Khediran. Veç yllit portugez i cili nuk është grumbulluar nga trajneri i Los Blancos, Reali përballë skuadrës baske do të vuajë edhe mungesat e Jese Rodriguez dhe Fabio Coentraos.
Shtuar më 30/08/2014, ora 13:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori