Ancelotti: Cristiano titullar ndaj Atleticos
Cristiano Ronaldo titullar, Gareth Bale në dispozicon, ndërsa Arbeloa dhe Coentrao do të luajnë që nga minuta e parë. Carlo Ancelotti ka zbardhur kështu disa nga zgjedhjet e tij për derbin e Madridit në gjysmëfinalen e Copa del Rey.

"Gjesti i Cristianos nuk ishte aq i rëndë për të merituar karton të kuq, gjithsesi ai do të luajë kundër Atleticos. Sigurisht që Cristiano është ndjerë keq sepse ky ndëshkim ishte i ekzagjeruar, po të mendojmë që në çdo ndeshje ka shumë provokime dhe faulle", ka thënë Carlo Ancelotti.

Por si mendon Ancelotti që të fitojë kundër një skuadre që po tregon muskujt takim pas takimi.

"Kemi 180 minuta në dispozicion për të fituar. Atletico Madrid nuk është një ekip i lehtë sepse mbrohet mjaft mirë dhe shfrytëzon kundërsulmin. Na ka mundur në kampionat, por Reali ka ndryshuar shumë", vijoi tekniku i Realit.

Do të jetë në dispozicion i rikuperuari Gareth Bale, për të cilin italiani tha se ashtu si Luka Modriç, përshtatja nuk është e lehtë, sepse ka mbërritur nga një vend tjetër, me tjetër kulturë e tjetër gjuhë. Loja e mirë ndaj Bilbaos e shpërblen Jese Rodriguez me një vend në formacionin titullar ndaj Atleticos, ndërsa në pikëpyetje qëndron Varane. Ekipi tjetër i Madridit, është i vetmi ndaj të cilit "Los Blancos" nuk kanë mundur të shënojnë.

"Kemi humbur me Atleticon sepse e meritonim, por që atëherë kemi ndryshuar shumë. Jemi më natyralë në lojën tonë dhe më solidë. Do të jetë një derbi pak a shumë si ato në kampionat. Për tifozerinë në veçanti, përballjet derbi janë gjithmonë të rëndësishme", përfundoi italiani.

Takimi i parë gjysmëfinal i Kupës mes Realit dhe Atleticos luhet nesër ora 20:00 në "Santiago Bernabeu" dhe një javë më vonë ndeshja e kthimit në "Vicente Calderon". /albeu.com/
Shtuar më 04/02/2014, ora 18:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori