Ancelotti do Pirlon te Reali
Carlo Ancelotti te Real Madrid duket se është thjesht çështje kohe për t’u zyrtarizuar, pasi media spanjolle aludon se ai ka nisur edhe punën për formimin e skuadrës që do të ketë në dispozicion. Duke qenë se është në dijeni të këmbënguljes së Juventusit për të marrë Gonzalo Higuain, tekniku italian ka qenë dakord që ta shesin argjentinasin, por ka kërkuar që në tratativa të përfshihet edhe një futbollist tjetër. Bëhet fjalë për Andrea Pirlon.

Trajneri aktual i PSG-së dëshiron që 34-vjeçari, me të cilin ka bashkëpunuar për disa vite te Milan, të jetë pika e referimit e skuadrës në muajt e parë, në mënyrë që madrilenët të ambientohen sa më shpejt me filozofinë e lojës që dëshiron ta praktikojë Ancelotti.

Edhe pse ai ka qenë shumë i rëndësishëm për Juventus këtë sezon, trajneri Antonio Conte duket se ka dhënë "OK"-in që ta largojë, vetëm për të marrë bomberin argjentinas. Në fakt, një nga arsyet kryesore ka qenë edhe forma e dobët fizike e Pirlos, duke mos garantuar edhe një sezon tjetër në nivel të lartë.

Por, edhe te Reali e dinë një gjë të tillë, gjithsesi eksperienca dhe aftësia organizuese e lojtarit italian shihet si mjaft thelbësore për hapat e parë të epokës "post-Mourinho", në mënyrë që të mos bëjnë hapa falsë në kampionat, çka mund t’u kushtojë më vonë. Sa i përket vlerës së kartonit, ajo është mjaft modeste dhe nuk i arrin as 5 milionë eurot. /albeu.com/


Shtuar më 14/05/2013, ora 19:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori